Në emisionin Open në News24 është diskutuar lidhur me thirrjen e Erion Veliajt, Kryebashkiakut të Tiranës, në SPAK. Veliaj dëshmoi për mbi 5 orë në SPAK, ndërsa në një sqarim para Këshillit Bashkiak, tha se një qytetar anonim, që nuk ekzsiton, kishte bërë një letër anonime.
“Ju detyrohem një sqarim për bashkëpuimin dhe vizitën time në SPAK sot para dite. Jam informuar që jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni i cili është një personazh që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston. Të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, mentaliteti dhe çfarë kulture linçuese”, tha Veliaj.
Për nënkryetarin e PD-së, Luçiano Boçi, pritej që Veliaj të thirrej për inceneratorin e Tiranës apo për 5D, por tani ka dalë edhe kjo çështja e tretë, e hetimit pasuror. Por Boçi bëri një lidhje mes hetimit pasuror dhe çështjes ‘5D’, duke iu referuar asaj që SPAK ka zbuluar. “Nuk e shoh të logjikshme që të kemi vetëm një hetim pasuror. Jemi përballë ekzekutimit politik të Veliajt dhe kjo është justifikuar me veprimin e sotëm, thirrjes së tij në SPAK. Ekzekutimi penal apo juridik është një pikëpyetje shumë e madhe”, tha Boçi.
Sipas tij, SPAK po i copëzon çështjen. Në këtë kuadër ai përmendi inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. “Janë një çështje, janë një grup kriminal që ka në krye Edi Ramën”, tha Boçi.
Ai tha se ngjarja kryesore është thirrja e Erion Veliajt, por pikëpyetja është pse thirret edhe denoncuesi në të njëjtën ditë, Belind Këlliçi. “SPAK ka një spostim politik, duket sikur e ka sfidën me opinionin publik”, tha Boçi, duke shtuar se “në të vërtetë SPAK e ka sfidën me korrupsionin, me ligjin”.
Boçi tha se duket sikur SPAK ka dashur të provojë që është i barazlarguar, duke thirrur në të njëjtën ditë qoftë Veliajn ashtu edhe Këlliçin, që e ka denoncuar për aferën 5D dhe për inceneratorin e Tiranës.