Në emisionin Open në News24 është diskutuar lidhur me thirrjen e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, në SPAK. Veliaj dëshmoi për mbi 5 orë në SPAK, ndërsa në një sqarim para Këshillit Bashkiak, tha se një qytetar anonim, që nuk ekzsiton, kishte bërë një letër anonime.
“Ju detyrohem një sqarim për bashkëpuimin dhe vizitën time në SPAK sot para dite. Jam informuar që jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni i cili është një personazh që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston. Të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, mentaliteti dhe çfarë kulture linçuese”, tha Veliaj.
Në emisionin “Open”, Drejtori i Informacionit në News24, Erl Murati, duke komentuar paraqitjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK tha se ky nuk ishte një vit i mirë për të.
Murati tha se referuar deklaratave të Veliajt në Këshillin Bashkiak u duk qartazi se ai nuk donte të jepte detaje, por foli për një qytetar anonim, emrin e të cilit ne nuk e kishim dëgjuar më parë. “Ajo që mund të thuhet është se ky nuk ishte një vit i mirë, qoftë në aspektin politik, ashtu edhe në raport me SPAK”, tha Murati.
Ndërsa analisti Mentor Kikia u shpreh se kemi 3 hetime që po zhvillohen, njëri është ai për hetimin pasuror, tjetri për 5D dhe ajo për aferën e inceneratorit. Kikia tha se ajo që u tha sot nga Erion Veliaj është një denoncim nga një qytetar që nuk ekziston.
“Sot u zbulua se vajtja e SPAK dhe BKH në banesën e Veliajt apo në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së tij, bazohet në një denoncim, që sot doli që është bërë nga një personazh anonim. Askush nuk e di se për çfarë ka folur Veliaj me prokurorin kur ka qenë ballë për ballë”, tha Kikia.
(BalkanWeb)