Deputeti Agron Shehaj, kryetari i Partisë Mundësia, komentoi në emisionin Log në News 24 faktin që kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u paraqit në SPAK.
Shehaj tha se Veliaj duhet të japë dorëheqjen. Sipas tij, Veliaj duhet të zhvishet nga pushteti që ka dhe të dalë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë. Për Shehajn, nëse do ishim në Perëndim, kështu do të veprohej.
Agron Shehaj: Në Perëndim, nëse një kryetar bashkie thirret nga drejtësia, duhet të japësh dorëheqjen, që të paraqitesh para drejtësisë si qytetar i thjeshtë. Veliaj duhet të jepte dorëheqjen.
Erion Veliaj nuk është viktimë, viktimë janë qytetarët e thjeshtë. Sot kemi incenerator që nuk është ndërtuar, drejtorët e tij janë në burg, janë transferuar para nga buxheti i shtetit tek familjarët e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Shqipëria është ndër vendet më të varfra dhe të korruptuara në Europë e kjo ka ndodhur për shkak të politikanëve. Këtë vend po e vjedhin politikanët. Nuk i heq të drejtën Veliajt që të mbrohet para drejtësisë, por jemi vend i vjedhur.
(Balkanweb)