Nga shkolla e re e muzikës “Servete Maçi”, ku vijoi fushatën e tij elektorale, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit kanë një rëndësi të veçantë pasi do të votohet për dy botëkuptime: një që do ta çojë Shqipërinë përpara dhe një tjetri që kërkon ta mbajë atë peng të interesave të ngushta dhe të së shkuarës. Veliaj nënvizoi se ata që kërkojnë t’i pengojnë zgjedhjet kërkojnë pikërisht të bëjnë pazar për të shkuarën e tyre dhe frikën që kanë nga reforma në drejtësi.

“Kjo është Tirana jonë, një Tiranë që është emancipuar, evropiane. Shihni fytyrat tona, shihni me kë kemi ardhur dhe krahasoni fytyrat e tyre të vrenjtura, vetëm vrer, helm, vetëm mallkime, ankesa, vetëm pazar për 30 vitet që ikën, ndërkohë që ne kemi sot shpresë, pasion, optimizëm, punë për vitet që do vijnë, për vitet që do vijnë. Shihni ku takohemi ne! Ata takohen tek partia, tek Presidenca, nëpër bunkere, ku bëjnë ato intrigat e tyre të vogla; ne jemi o në një kopsht o në një park, o në një shkollë të re, o në një pazar të ri, ose në një bulevard të ri. Se për këto janë këto zgjedhje. Nuk janë për kulisat që këta bëjnë nëpër hotelet me pesë yje dhe nëpër zyrat e fundit që u kanë mbetur. Këto zgjedhje janë për të ardhmen, o miq! Kjo është arsyeja pse unë jam krenar për secilin prej jush që i ka dhënë një dorë Tiranës, që këto katër vite të shkojë raketë! Se nuk bëhet kjo punë pa mbështetje. Deri më sot ende nuk kam një kundërshtar që thotë: PS i ndan njerëzit në të nënës e të njerkës sepse si evropianë të vërtetë Partia Socialiste, partia jonë, i shërben të gjithëve njësoj”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se ndërtesa e re dhe moderne e shkollës “Servete Maçi” ku u mbajt ky takim, është dëshmia dhe prova më e mirë e dallimit mes Partisë Socialiste dhe opozitës. “Kjo është diferenca mes kazinos së shtetit të tyre dhe mes shtetit arsimdashës tonit. Kjo është komplet diferenca”, tha Veliaj.

Ndaj, Veliaj u shpreh se që këto punë të bukura të nisura në Tiranë dhe zhvillimi i reformave të nisura nga qeveria të vazhdojnë duhet që shqiptarët të votojnë në 30 qershor.
“Ne duhet të shkojmë në datë 30 qershor sepse pas 30 qershorit duhet të vijojmë të financojmë që kjo shkollë të hapet në shtator. Ata thonë: Jo, jo s’i duam këto. Po pse? Se kemi ne hall. Tani dikush ka ngatërruar datën sepse ne në datë 30 qershor kemi takim me hallet tona, jo për hallet e tyre. Hallet e tyre mund t’i zgjidhin kudo dhe unë jam i ndërgjegjshëm. Kur kalamajtë i ke jashtë, ç’të intereson ty që po bëhen shkolla në Shqipëri? Kur i ke kalamajtë me pasaportë holandeze, ç’të interson ty nëse në Shqipëri ka apo jo shkolla? Nëse i ke me pasaporta austriake, ç’të intereson? Nëse ti çdo fundjavë shkon në business class për pushime, ç’të intereson ty u bë apo jo këndi i lojërave? Nëse nuk përdor asnjë ambient public, ç’ të intereson ty? Për sa kohë punon kondicioneri tek SHQUP-i dhe për sa kohë ke bërë kat pa leje në kat të 13? E di çfarë? Atyre mund të mos u interesojë, por ne si socialistë na intereson çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë. Ku janë shkollat, kopshtet, ku janë çerdhet, ku janë parqet, këndet e lojërave”, theksoi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb