TIRANE

Kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliajn shprehet se veprimet e deputetëve të opozitës duke djeg shkolla e dhunë, është si lëvizja e Haxhi Qamilit që donte të pengonte reformat shtetndërtuese të Shqipërisë.


“Nganjëherë e di si më duket, sikur e vetmja gjë që kemi mësuar nga historia, është që s’kemi mësuar asnjë gjë nga historia. T’ju jap një rast? Haxhi Qamili. Bëhet fjalë për vitin 1913-1914, Shqipëria kishte Princ Vidin, i cili në periudhën e administrimit pas Perandorisë Osmane, pas një pushtimi 500-vjeçar filloi reformat e veta dhe kishte një grup njerëzish që thoshin: – Duam babën, duam të shkojmë atje ku ishim 500-vjet. Zot, a nuk është për t’u habitur se si përsëritet historia, që ka njerëz që thonë prapë – Duam babën. Por tani jo ai ‘baba në Stamboll’, por ‘baba Saliu’, ‘baba i Lulit’. “Duam babën”, po mirë po fëmijë ke? Po shkollë për fëmijët do kërkosh? Dakord do sakrifikosh për ‘babën’, por do djegësh shkollën e fëmijëve të tu, se ata fëmijët e tyre i kanë të gjithë jashtë”, tha Veliaj.


Kandidati socialist theksoi se ndryshe nga drejtuesit e opozitës që kanë fëmijët e tyre në Hollandë, Austri e shtete të tjera, plani i vetëm i PS dhe i qytetarëve shqiptarë është që të punojnë për Shqipërinë dhe Tiranën. “Arsyeja pse po organizohemi këtu është se s’kemi vila në Lalz, prandaj do organizohemi nëpër pallatet në Tiranë. Ne s’kemi vila në Holandë, prandaj do organizohemi në shtëpitë tona në Tiranë. Ne nuk kemi pasaportë austriake, prandaj do organizohemi për jetën në Shqipëri, se ne nuk kemi një plan tjetër. Ne planin e vetëm, plan i madh dhe plan ligjor për ne, është ta bëjmë ‘Tiranën zonjë’.


Kam dëgjuar shumë njerëz që më thonë – Më vjen zor që shkodranët dogjën një shkollë. E para e punës ta sqarojmë, se kemi në pallatet tona, miq vëllezër, motra, krushqi, kushërinj nga Shkodra, që janë shkodranët e Migjenit, që janë shkodranët e Kol Idromenos, shkodranët e Marubit , që janë shkodranët e Marin Barletit, nuk janë shkodranët e Voltanës. Ne në pallatet tona, të mos ta lejojmë këtë frymë përçarjeje. Miqtë e mi jemi sot në një situatë ku ka politikanë që po mundohen të na vënë të luftojmë me njeri – tjetrin, komshi me komshi, vëlla me motër. Njerëz që kanë vite që janë lidhur, i ka lidhur puna, i ka lidhur jeta, i ka lidhur gjaku dhe po mundohen që të na përçajnë”, deklaroi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb