Pas suksesit të jashtëzakonshëm të sportistëve të Klubit Sportiv “Tirana” në kampionatet evropiane dhe Lojërat Olimpike, ku lojtarët e klubit kanë fituar medalje, një epokë e re po fillon për këtë institucion të rëndësishëm sportiv. Bashkia e Tiranës ka vendosur të transformojë statusin e klubit në organizatë jofitimprurëse, duke e përshtatur atë me standardet bashkëkohore të menaxhimit dhe zhvillimit të sportit.

Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak. “Tirana u bë temë e ditës sepse tre mundësit fantastikë që garuan në Paris, dy prej të cilëve sollën medalje olimpike për herë të parë, jo vetëm për Klubin e Tiranës, por edhe për Shqipërinë. Kjo solli më shumë vëmendje te Klubi i Tiranës. Shumë prej klubeve kanë bërë kalimin në shoqatë, si mundësi për të marrë financime nga kompani private dhe sponsorë komercialë, prandaj po bëjmë të njëjtën gjë me Klubin e Tiranës. Bashkia e Tiranës do vijojë të mbetet mbështetësi kryesor i klubit të Tiranës, por kalimi në një qendër, siç kanë bërë gjithë klubet e tjera private, na jep shumë më shumë mundësi për ta fuqizuar, për t’i dhënë më shumë financa, sipas performancave dhe arritjeve të lojtarëve të klubit”, tha Veliaj.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se të gjitha asetet dhe pasuritë e përdorura nga Klubi Sportiv “Tirana” do të transferohen te qendra e re, duke siguruar që klubi të vazhdojë aktivitetet e tij pa ndërprerje dhe të ruajë titujt e arritur ndër vite. Ky transformim pritet të forcojë më tej pozicionin e klubit në arenën sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa klubit do t’i ofrohen mbështetje financiare nga buxheti i Bashkisë për periudhën 2025-2027. Me këtë ndryshim, Klubi Sportiv “Tirana” synon të ruajë emrin, reputacionin dhe historinë e tij, duke ndjekur rrugën e suksesit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: