TIRANË

Në kryeqytet u mbajt sot Forumi i parë Ekonomik i Tiranës ku aktorë vendimmarrës dhe të biznesit vendas e të huaj diskutuan mbi sfidat e zhvillimit ekonomik. Në fjalën përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj premtoi   krijimin e  shkollës më e madhe në Ballkan, sa i përket  teknologjisë së informacionit, ku 5 mijë fëmijë mund të përgatiten për profesionet dhe sfidat e së ardhmes.

“Po bashkëpunojmë me Fondin Shqiptaro-Amerikan që Piramidën ta kthejmë në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në Ballkan, sipas modelit të TUMO Center.

Ne planifikojmë 5 mijë të rinj çdo muaj që të jenë pjesë e këtyre kurseve sepse nëse nuk përgatitemi sot për një krah pune që mund të flasë këtë lloj gjuhe dhe të ketë këto lloj aftësish, atëherë sigurisht do të humbim edhe një gjeneratë tjetër që mundohet ende të qepë këpucë, të punojë në call center apo të prodhojë këmisha”, u shpreh Veliaj.

Ndërkaq, ai përmendi faktin se në Kashar do të krijohet zona e lirë ekonomike, ku hapësira prej 80 hektarësh do të jetë në dispozicion të investitorëve strategjikë, për t’i dhënë një impuls tjetër zhvillimit ekonomik të gjithë qytetit.

“Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kanë identifikuar një hapësirë rreth 80 hektarë në zonën e Kasharit, për ta kthyer në një zonë të lirë ekonomike të Tiranës. Jemi në fazën ku po marrim të drejtat mbi pronën dhe po bëjmë të gjithë legjislacionin që të licencohemi si një autoritet i cili ka një zonë të lirë ekonomike. Për të gjitha kompanitë që e kanë pasur dhimbje koke ekspansionin në Shqipëri për shkak të problemeve me pronat, ky është një lajm i mirë”, siguroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ambicja është afrimi i atyre kompanive dhe orientimi i ekonomisë drejt sektorëve që gjenerojnë më shumë të ardhura dhe ku përfitimet mbeten në Shqipëri. “Ambicja jonë, si qytet, është që fillimisht të ndërtojmë mbi atë që tashmë kemi.

Pra, nëse kemi një reputacion si vend ku të rinjtë punojnë në call center, nuk mund të vazhdojmë kështu pafundësisht, por do të duhet të kalojmë në fazën tjetër, atë të data center. Duke pasur një analizë të mirë të asaj që tashmë dimë të bëjmë me kosto të ulët, do të duhet të ndërtojmë dhe të vëmë tulla të tjera për të bërë diçka pak më të sofistikuar, që sjell më shumë të ardhura dhe garanton më shumë mirëqenie në Shqipëri”, shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: