TIRANË


Veliaj: PS bën shtet dhe qytet; ditë e zezë për Kamzën dhe Shkodrën, kryetarët e tyre rrinë dhe pijnë kafe në Tiranë


Kandidati i PS, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot nga Njësia 1, se kryeqyteti ka ndryshuar shumë në 4 vjet dhe se nuk mund të pranojë leksione se si bëhen punët nga kryetarë bashkie që qytetet e tyre i kanë lënë në një gjendje të mjerueshme. Ai i ktheu përgjigje deklaratës së kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila gjatë një emisioni televiziv deklaroi se ishte edhe ajo gati që të hidhte bomba molotov në Tiranë.


“Dëgjova sot Voltanën që thoshte të kisha Molotov i kisha rënë edhe unë. Po ti moj grua e ftillove Shkodrën, që të erdhi tani koha të sulmosh me molotov Tiranën? Shkodra është sot qyteti që ka degraduar më shumë. Pyetja që kam unë për këta njerëz, për Xhelalin, Voltanën, që tërë ditën pinë kafe në Tiranë, është: Kur qenka bërë kaq mirë Kamza dhe Shkodra, pse nuk rrinë atje? Janë të parët që mezi presin të ikin nga qytetet ku janë votuar për t’i drejtuar. Kur Tirana qenka bërë kaq keq sa ju duhet t’i suleni me molotov, pse nuk na bëni një ditë ekskursion në Shkodër ose në Kamzë, ose në këto vende që janë degraduar?”, tha Veliaj.

Por, ai theksoi se Partia Socialiste me fitoren që do sigurojë në 30 Qershor do t’i kthejë edhe këto qytete në rrugën e duhur. “Ka vetëm një forcë që bën qytet dhe që bën shtet. Ajo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Edhe në Kamzë, edhe në Shkodër do të bëjmë mrekulli. Dita kur ka mbërrit që kryetari i Bashkisë së Shkodrës të rrijë vetëm në Tiranë dhe të mos dojë të kthehet në shtëpi të vet, është një ditë e zezë për Shkodrën”, tha Veliaj.

Më tej ai shtoi se ata që protestojnë sot për 4 vitet e fundit në Tiranë nuk mbollën qoftë edhe një pemë për t’i lënë të ardhmes së qytetit një pajë të gjelbër. Kjo, sipas tij, ka ardhur jo se ata nuk dinë, por se nuk kanë asnjë interes që ky qytet dhe Shqipëria të ecë përpara, pasi të ardhmen e fëmijëve të tyre e shohin jashtë vendit.

“Kujtoni pak, para 4 vitesh kopshtet i gjetëm tamam si burgjet e asaj kohe. Lëpihej mureve jeshilja e lagështirës, me ujëra të zeza, dilte myku e rritej kërpudha atje ku rriteshin fëmijët. Sot jemi në një situatë ku ndoshta nuk jemi perfekt, por çerdhet dhe kopshtet publike të Tiranës, edhe shkollat e reja, janë model. Nuk është puna që s’dinë, ata nuk duan, se për sa kohë që fëmijët i ke jashtë, për sa kohë që pasaportat i ke të huaja, mjafton t’ia bësh flatrave kështu, dhe sa mirë me qenë shqiptar, dhe disa njerëz vazhdojnë votojnë ata që Shqipërisë i kanë bërë vetëm keq. Se po ta shihnin fëmijën e tyre që do shkojë tek një çerdhe publike, tek një kopsht publik, tek një shkollë publike, nuk do t’i linin ashtu. Por ngaqë nuk e shohin të ardhmen në Shqipëri, ngaqë kanë ndërruar shtetësinë dhe Shqipërinë e shohin vetëm mish për top, dhe mundësi për karrige, ndaj dhe nuk i bëjnë. Ju mendoni se me gjithë atë energji, me gjithë atë molotov, nuk mund të mbjellin një pemë, nuk mund të bëjnë një ditë pastrimi, 4 vjet? Mirë që nuk erdhën 4 vjet në Këshill Bashkiak, por 4 vite nuk mbollën një pemë. E dini pse? Nuk e shohin të ardhmen këtu. I kanë zgjidhur kalamajtë e tyre, i kanë zgjidhur hallet e tyre, i kanë zgjidhur pasaportat e tyre të huaja, dhe ne u themi atyre në daç hajdeni, në daç mos hajdeni, por ne plan tjetër përveç Tiranës dhe Shqipërisë nuk kemi. Kemi vetëm këtë plan dhe vetëm këtë qytet”, shtoi Veliaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb