TIRANE

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në kuadër të festave të fundvitit ka shpërndarë dhurata për fëmijët e qendrës sociale në Shkozë. Veliaj, ndërsa u uroi fëmijëve një vit sa më të mbarë kërkoi nga ata të mësojnë më shumë në shkollë.

“Ëndrra ime më e madhe është të kem si dhuratë nga ju, që në vitin 2019 të dilni të gjithë të shkëlqyer në mësime. Nëse secili prej jush lufton fort, respekton shokun, respekton familjen e tij, mban pastër qytetin, thotë “Të lutem; Faleminderit”, atëherë e gjithë Tirana është më e mirë. Nëse fillojmë që sot siç e kemi nisur këtu, që nuk dalim më në rrugë të lypim, nuk shkojmë të mbledhim plehra, nuk humbasim orët e mësimit, por të gjithë siç e kemi nisur mbarë, fokusohemi që të mësojmë fort, ta duam familjen dhe njëri-tjetrin, atëherë Tirana do të jetë qyteti më i mirë në Europë”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se në qendrën sociale të Shkozës ka fëmijë nga cepa të ndryshëm të Tiranës, e megjithatë të gjithë jetojnë së bashku.

“Gjithmonë kam thënë: Po, Tirana do të zhvillohet, por ama askush nuk do ngelet pas dhe fakti që këtu është krijuar një komunitet fantastik e nuk ka rëndësi se çfarë jemi ne, romë apo egjiptianë, komunitete të tjera, ne jetojmë të gjithë bashkë. Kemi krijuar një hapësirë ku respektojmë njëri-tjetrin, e mbajmë pastër, ku jetohet me më shumë dinjitet, në shtëpi më të mira dhe jo në kasolle te Bregu i Lumit, kemi arritur këtë histori suksesi”, tha Veliaj.

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: