Tre prej shefave më të njohur të kuzhinës në Shqipëri, Fundim Gjepali, Arvin Kita dhe Bledar Kola shërbyen drekën festive në Qendrën Sociale të Njësisë 9. I pranishëm për të ofruar ndihmën e tij, ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Ky vit ka qenë special. Të gjithë japin një kontribut, pavarësisht se dikush është mësues, dikush është inxhinier, polic, doktoreshë apo kuzhinier i famshëm. Të gjithë kanë gjetur një moment që të japin një kontribut. Dua të falënderoj sot tre shefat, ndër më të njohurit në Shqipëri, atje ku gatuajnë ata pjatat paguhen shumë shtrenjtë, por fakti që zgjodhën që në fund të vitit të gatuanin, të shërbenin dhe të shtronin këtë drekë me komunitetin tonë të të moshuarve, më bën që t’u jem disafish mirënjohës sepse nuk janë vetëm kuzhinierë dhe shefa të mirë, por mbi të gjitha njerëz dhe qytetarë të mirë”, tha Veliaj.

Ai e cilësoi 2018-n një vit të jashtëzakonshëm, falë edhe kontributit që kanë dhënë qendrat sociale të hapura në të gjithë Tiranën, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. “2018 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Falë kontributit që na kanë të gjitha qendrat sociale, si ata që punojnë me të moshuarit, si ata që punojnë me fëmijët në nevojë, si ata që punojnë në zonat periferike, si ata që punojnë me komunitetin rom dhe egjiptian, si ata që punojnë me fëmijët e rrugës, si ata që punojnë me personat me aftësi të kufizuar, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën. Sigurisht, nuk zgjidhen të gjitha problemet, por fakti që në çdo cep të Tiranës ka një qendër sociale ku shërbehet një vakt, ku ofrohet dashuri, shërbim, një trajtim i gjithë personave në nevojë, e bën qytetin tonë pak më të mirë”, pohoi Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb