Të gjithë ata që do të kryejnë praktikën e punës në Bashkinë e Tiranës do të marrin edhe një pagesë. Në fjalën e mbajtur gjatë certifikimit të 47 vajzave dhe djemve të cilët përfunduan me sukses praktikën në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se periudha e intershipit do të zgjatet nga 3 në 6 muaj, duke shtuar këtu edhe një pagesë.

“Ka ardhur momenti të mendojmë jo vetëm zgjatjen e praktikave, por edhe për një pagesë. Kemi filluar një projekt për studentët praktikantë që zhvillojnë internshipet në kompani private, por jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë edhe për praktikat në Bashkinë e Tiranës, për t’u siguruar që përveç përzgjedhjes rigoroze, të kenë një kompensim, qoftë edhe për paratë e xhepit, që të jetë më e lehtë për gjeneratën tjetër të studentëve që do të vijë”, deklaroi Veliaj.

Si një nga iniciatorët e nismës për realizimin e praktikave të punës në institucionet publike dhe private që në kohën kur ishte ministër në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Veliaj shtoi se kjo ide, e cila 5 vite më parë dukej e paimagjinueshme, ka dhënë rezultatet e para të suksesshme dhe inkurajoi edhe bashkitë e tjera që ta mbështesin si project, i cili u jep të rinjve dhe të rejave eksperiencë për të filluar punë.

“Fakti që projekti po funksionon është një lajm shumë i mire. Më vjen mirë që Bashkia e Tiranës mban barrën më të madhe të praktikave. Por, doja të inkurajoja edhe bashkitë e tjera”, nënvizoi Veliaj, i cili përgëzoi të rinjtë që zgjodhën të kryejnë praktikën në Bashkinë e Tiranës dhe tashmë me eksperiencën e fituar kanë aplikuar për të filluar punë në kompani apo institucione të rëndësishme.

Ai iu përgjigj edhe ndonjë komenti lidhur me projektet e Bashkisë së Tiranës, si sheshi “Skënderbej”. “Edhe kur vë ca stola, kthehet në debat të madh kombëtar. Kjo sigurisht meriton vëmendje dhe sqarim, por është diçka fantastike, e bukur, sepse është ndoshta nga të paktat punë ku çdo gjë vihet re, çdo gjë bëhet pjesë e debatit, është e hapur për diskutim, dhe padyshim është një nga punët më të bukura në botë, jo vetëm në Shqipëri”, tha ai.

Ndërkohë, kreu i Bashkisë ftoi të rinjtë dhe të rejat që t’i bashkohen aksionit për mbjelljen e pemëve të reja që do të jenë kurora e gjelbër e kryeqytetit. Deri më tani ky numër ka arritur në mbi 82 mijë, shumë pranë rekordit për 100 mijë pemë të reja. “Nëse njerëzit ndihen pjesë, nëse çdo fëmijë që ka ditëlindjen, nëse çdo çift që martohet, nëse çdo përkujtimore dhe përvjetorë, nëse çdo komunitet, nëse çdo lagje çdo pallat, na bashkohet në aksion, do ta arrijmë rekordin tonë për 100 mijë pemë”, tha Veliaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb