TIRANE

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i ka bërë thirrje të gjithë banorëve të Astirit që preken nga ndërtimi i Unazës së Re që mos të bëjnë hesapet e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

Nga Asambleja e Forumit të gruas Socialiste të Tiranës, Veliaj theksoi se sot disa prej familjeve të Unazës u strehuan në banesa sociale. “Ju falenderoj me gjithë zemër, nënat, amvisat, gratë, zonjat e shtëpisë në të gjithë zonën e Astirit dhe Unazës së Re se arritën të kuptonin që fëmijët e tyre nuk mund të jenë mish për top për parti, krerët e të cilave i kanë rregulluar punët e tyre, një shtëpi në Tiranë, një shtëpi në Laknas, një shtëpi në Holandë. Ata i kanë rregulluar punët e tyre. Thirrja ime për banorët është: mos bëni hesapet e Lulit, ai i ka rregulluar punët e veta, bëni hesapet tuaja, t’u dalë mirë llogaria juve; nëse u takon prona, të merrni paratë, nëse keni nevojë për asistencë, të merrni një shtëpi, nëse doni qira, u japim qira, por vetëm bëni llogarinë e fëmijëve dhe të familjeve tuaja, jo të politikanëve që i kanë rregulluar punët e tyre”, tha ai, teksa listoi edhe një sërë programesh të ndryshme sociale që Bashkia e Tiranës ua ofron të gjithë banorëve të cilët preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. “Për atë që ka pronë, të paguhet çfarë i takon, për atë që s’ka asnjë letër, të marrë ndihmë sociale, për atë që ndoshta nuk e do ndihmën sociale, do të marrë një bonus qiraje”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se PD dhe Basha nuk ofrojnë besim tek qytetarët, pasi sikundër edhe në shumë raste të mëparshme, ai i ka lënë ata në baltë. Ai deklaroi se PD ka një Kryetar partie që çdo gjë e ka kthyer në pazar. “Thirrja për ta është: Luli ju la në baltë! Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk ka lënë asnjë njeri në baltë, nga dita e parë që kemi nisur këtë punë dhe çdo ditë që punojmë me këtë mision! E patë Lulin me Kukësin? Ku është sot? Ju la në baltë! E patë Lulin te çadra? Ku është sot? I la në baltë, i përdori e i la në baltë! E patë Lulin te Teatri? Ku është sot për Teatrin? I la në baltë! Miqtë e mi, në dallim nga ne, ata vetë kanë një Kryetar partie që çdo gjë e ka kthyer në pazar. Unë kam punuar në Bashkinë e Tiranës, një pjesë e kolegëve kanë punuar në Bashkinë e Tiranës, u bë 3 vjet që punojmë aty dhe kemi parë se 80% të tenderave të Bashkisë së Tiranës merren nga “Victoria Invest”, firma e Lul Bashës. Nuk po i hyj në hak, është një nga 3 fituesit e rrugës, pyetja është: Si nuk e përmend asnjëherë? Pra, pasi e merr pazarin e vet, thotë: Duhet bërë dhe një protestë tani, të shkojmë për sy e faqe dhe do Zoti harrohet siç u harrua Kukësi, Teatri, çadrat”, deklaroi ai.

Veliaj u ndal edhe në rastin e plagosjes së efektives së Policisë së Shtetit, Ina Nuka, e cila humbi gishtat pas sulmit nga militantët. Teksa i uroi efektives Nuka shërim të shpejtë, Veliaj tha se protestat organizohen nga opozita për përfitime politike. “Sot dua të çojmë të gjithë bashkë një përshëndetje për Ina Nukën, për policen e mrekullueshme që shërbeu në sulmin e parë të agresionit! Dua t’i pyes: A janë krenar sot për atë që bënë? Hodhën në erë gishtat e një vajze të re, a janë krenarë për këtë? Ç’punë ka dikush që vjen nga Burreli të protestojë këtu, për një projekt lokal të Tiranës?”, tha kryebashkiaku Veliaj

Ai theksoi se PS është forca më progresive në vend, ndryshe nga PD e cila është simbol i zaptimit dhe i paligjshmërisë. “Jam shumë i lumtur që zonjat socialiste sot i kanë dhënë fuqi partisë më progresive që ka pasur ndonjëherë. PS vazhdon të rrijë aty ku ka qenë. Nuk vuan nga tahmaja, të marrë diçka që nuk i takon. Ata edhe partinë e zaptojnë, mjafton të shikoni hapësirën përballë, duket si një koncensionar “Range Rover”-ash. Partia që flet tërë ditën për varfërinë e ka mbushur parkimin sikur shet makina të përdorura. E kuptoni se përfaqësojmë dy botë të ndryshme? Kemi një parti që do punën, progresin, barazinë, kurse përballë një parti që zapton”, tha ai.”, -tha Veliaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb