TIRANE- Ka nisur sot fushata “16 ditë aktivizimi kundër dhunës me bazë gjinore”, që do të shtrihet në të gjithë vendin, si një element për të treguar simbolikisht se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.

Kjo fushata e ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, UNDP, UN Women dhe organizata të shoqërisë civile do të vijojë deri në 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Qëllimi kryesor i fushatës është përfshirja aktive e sa më shumë burrave e djemve, të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen nismës kundër dhunës me bazë gjinore.

Në ditën e parë të fushatës, Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, zhvilloi një takim me studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë, ku ftoi të gjithë djemtë dhe burrat shqiptarë që të jenë pjesë e kësaj fushate emancipuese dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes. “Mesazhi i parë që kam për burrat dhe djemtë është që t’i bashkohen kësaj fushate dhe të tregojnë se trimëria e vërtetë nuk është ngritja e dorës kundër grave dhe vajzave, por ngritja kundër traditës”, tha Veliaj.

Duke përmendur disa statistika, ministri Veliaj tha se këtë vit janë raportuar rreth 3000 raste dhune, por lajmi i mirë është fakti se raportimi i dhunës në institucionet përkatëse është rritur me 30% krahasuar me një vit më parë. “Kemi gjithashtu, një reagim më të mirë nga institucionet ligjzbatuese. Gjatë këtij viti janë dhënë 1800 urdhra-mbrojtjeje, ndonëse kjo është një betejë e cila nuk mund të matet me statistika”, shtoi ai.

Këto ditë të fushatës, e cila ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për uljen e rasteve të dhunës me bazë gjinore, por edhe rritjen e rasteve të raportimit, do të shërbejnë si ditë intensive për të shtuar punën për parandalimin dhe trajtimin efektiv të dhunës ndaj grave.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është nga shkeljet më të përhapura e të drejtave të njeriut në mbarë globin. Fushata Ndërkombëtare: UNiTE (Bashkohu për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas), sidomos gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, është një lëvizje shoqërore globale për të ndërgjegjësuar dhe nxitur veprime konkrete për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Theksi i aktiviteteve të fushatës UNiTE 2014, do të jetë angazhimi i komunitetit dhe individit në nivel “vendor” nëpërmjet ndërgjegjësimit “derë më derë” – jo vetëm në ndërtesat qeveritare, por edhe në shkolla, universitete, kinema, bare, stadiume, bulevarde. Fushata UNiTE në Shqipëri është një nismë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara për veprimtari të bashkërenduara me organizatat e shoqërisë civile me mbështetjen financiare të UN Women, UNDP dhe Qeverisë së Suedisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: