Sahit Prizreni, presidenti i Federatës së Mundjes, i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama një suvenir me hartën e Shqipërisë, ndërsa ka shprehur bindjen se arritjet e deritanishme nuk do të mbeten me kaq, por do të vijojnë.
Ky moment është shfrytëzuar nga kreu i qeverisë për të bërë batuta, duke iu drejtuar Prizrenit me fjalët: Do të të thonë e bleu nën dorë.
“Kjo është simbolikë e vendit tonë që të mos na harrosh, ajo që ka ndodhur ka qenë e madhe por jam e sigurt që ajo që do të vijë do të jetë edhe më e madhe”, tha presidenti i Federatës së Mundjes.
Medalistët përveç shpërblimeve financiare, morën shpërblim edhe shtëpi, duke qenë se do të jenë tashmë rezident në Tiranë.
Dorëzimi i çelësave të shtëpive u bë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
“Më kujtohet kur u betuan si shtetas shqiptarë, kur thanë ‘Betohem’ me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, dhe u bënë pjesë e ‘Team Albania’, duke përqafuar vizionin kozmopolitan të Tiranës sonë. Sot Tirana ka rezidentë nga 144 shtetësi, që do të thotë se, ashtu si shumë kombe të tjera janë në një gjueti të jashtëzakonshme talentesh, ashtu edhe Shqipëria duhet të jetë në gjueti talentesh”, tha Veliaj.
Ai shtoi se sot, Shqipëria e Edi Ramës dhe e skuadrës olimpike, është një Shqipëri tjetër, ndërsa theksoi se do të sigurohen të gjitha mundësitë për të pasur kushtet e duhura, që sportistët tanë të vazhdojnë të dalin më të mirët.
“Në 112 vite shtet, kjo është hera e parë që marrim medalje Olimpike. I kuptoj edhe cinikët, edhe ata që e komentojnë suksesin nga divani. Është shumë kollaj të bëhesh kampion nga divani. Për të gjithë ata që e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh, fillimisht, te 16 më të mirët në botë – Luiza e di fare mirë, po ashtu edhe Franko – ata që e fitojnë me meritë, tashmë janë te më të mirët e botës. Sot Shqipëria e Edi Ramës dhe e kësaj skuadre, që drejtohet nga Fideli, dhe e kësaj discipline, që drejtohet nga Sahiti, është komplet Shqipëri tjetër. Premtimi është të sigurojmë të gjitha mundësitë për të pasur kushtet më të favorshme për të qenë më të mirët”, deklaroi Veliaj.
(BalkanWeb)