TIRANE

Qytetarët e Kombinatit do t’i marrin më shpejt dhe më afër shërbimet e kërkuara. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me mbështetjen financiare të Bankës Botërore, ka hapur Qendrën e Integruar ADISA në zonën e Kombinatit, e cila ofron mbi 368 shërbime publike, përfshirë edhe shërbimet vendore të bashkisë, përmes dy sporteleve të dedikuara.

 Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv. Kryeministri Erjon Braçe dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektuan mjediset e reja dhe theksuan se vëmendja e Bashkisë së Tiranës dhe e qeverisë është për të çuar shërbimin tek qytetarët. “Ky bashkëpunim mes qeverisë qendrore me qeverisë lokale e sheh rezultatin në këtë hapësirë. Dilema është: shkojnë njerëzit te shërbimet, apo shërbimet te njerëzit? Besoj sot jemi përgjigjur qartë: shkojnë shërbimet ku janë njerëzit, shkon shteti te njerëzit, shkon qeveria, bashkia, deputetët, dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë shërbime konkrete dhe të prekshme për qytetarët. Me zgjidhjen e kësaj dileme kemi një hapësirë të transformuar për Njësinë 6”, tha Veliaj.

 Ai nënvizoi se në këto 4 vite, Kombinati është transformuar dhe sot ka jo vetëm çerdhe, kopshte e shkolla të reja, por edhe shërbime më pranë. “Ne diskutonim jo vetëm sjelljen e këtyre shërbimeve, por faktin që qindra dhe mijëra fëmijë, çdo mëngjes, duhet të kalonin jo Tiranën, por 21-shin, për të kapur një kopsht, një shkollë, një çerdhe. Sot me shkollën e re, me kopshte të reja, me çerdhet e reja, qindra furgonë që shkonin e vinin dhe harxhonin kohë, jetë njerëzish e shpenzuar në trafik, i ka shërbimet këtu. Nuk kemi neglizhuar jo vetëm të gjallë, por as ata që nuk jetojnë më në varrezat e Kombinatit”, tha Veliaj.

 Një nga projektet e Bashkisë së Tiranës që do të marrë jetë këtë katërvjeçar është edhe krijimi i Tiranës policentrike, ku përfshihet qendra e Kombinatit. Për këtë, Bashkia e Tiranës do të zhvillojë një konkurs për sheshin “Garibaldi”. “Me gjithë këto ndërtesa të trashëgimisë industriale shqiptare, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet me ndërrimin e sistemit, duam që ta kthejmë pjesën e Kombinatit në një pjesë jo vetëm që të ruhet, por  të restaurohet. Ata që i kanë zënë në vitet e fundit këto ndërtesa, do të trajtohen në një mënyrë sociale, pra o me një bonus qiraje, o me kredi të butë, ose me një banesë sociale. Duhet që ky shesh që është, le të themi, simbolikë e asaj që kemi si vizion i Tiranës policentrike, të materializohet. Do të kemi tre konkurse: Kinostudio, Kombinat dhe Laprakë”, tha kryebashkiaku. 

Duke vlerësuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme në këto projekte, Veliaj garantoi se ndryshimi do të vijojë në çdo zonë të Tiranës. “Dje ishim te blloku “Misto Mame”, ndërkohë ka mbaruar blloku “Musine Kokalari”; është si efekt domino, pra çdo ditë nga një punë konkrete. Nëse ecim me këtë ritëm, siç e kemi kthyer krenari të qenit nga “Bregu i Lumit” apo të qenit nga Lapraka ose Kinostudio, shumë shpejt të qenit nga “Misto Mame”, nga Kombinati, nga “Fabrika e Qelqit”, nga “Musine Kokalari”, do të jetë realisht subjekt krenarie”, deklaroi Veliaj.

 Si një nga banorët e hershëm të Kombinatit, Zv. Kryeministri Erjon Braçe vlerësoi Bashkinë e Tiranës për transformimin e gjithë zonës. “Këtu jam në shtëpinë time. Natyrisht, transformimi që ka pësuar Kombinati i dedikohet bashkisë, i dedikohet qeverisë sonë; të gjitha këto janë një kontribut shumë i vyer për të rigjallëruar aktivitetin ekonomik e social dhe pse jo, edhe kulturor e sportiv, të gjithë kësaj zone. Është një zonë me tradita të jashtëzakonshme, dhe natyrisht mungesa e shërbimeve dhe e cilësisë së shërbimeve besoj se ezaurohet plotësisht me këtë qendër”, deklaroi Braçe. 

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti shprehu rëndësinë që ka vota për të ndryshuar dhe përmirësuar në mënyrë konkrete jetën e qytetarëve. Ajo shprehu bindjen se edhe në këtë mandat të dytë, Bashkia e Tiranës do të tregojë një vëmendje të shtuar ndaj zonave më në periferi. “Jemi këtu për të dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm qytetarëve, se ajo që përcakton nëse duhet të jemi në anën e duhur apo në anën e gabuar, është vota. Përmes votës kemi treguar se ata politikanë të cilët janë në shërbim të qytetarëve do të vazhdojmë rregullisht t’i mbështesim sepse në fund kjo e bën diferencën e madhe. Këtu kemi qenë ndër vite, e kanë patur bashkinë, e kanë patur qeverinë, dhe nuk kanë treguar minimumin e kujdesit ndaj banorëve të Kombinatit, të Tiranës dhe të Shqipërisë. Ja ku jemi, ndryshimet po i bëjmë”, u shpreh Gjylameti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb