Nga Shëngjergji, ku vijoi fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj tha se: “Lajmi i mirë është që Shqipëria nuk është pa miq. Sot ishte një lajm i jashtëzakonshëm deklarata e zyrtarit të lartë të DASH, Palmer, me emër dhe mbiemër, për Monën dhe për Lulin, që nëse shkaktoni dhunë, ta dijë bota mbarë se është faji juaj. Jeni ju përgjegjës, do të shkoni ju para drejtësisë”, tha Veliaj.



Më tej, Veliaj u shpreh se sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një hetim të hapur për financime të pista nga Rusia të Partisë Demokratike. “Një parti që prodhon çadra të personalizuara për secilin protestues nuk është parti fukarenjsh dhe qartazi ka një financim të padeklaruar, por fatmirësisht paratë ruse që financojnë Partinë Demokratike kanë hapur një hetim në Amerikë dhe ka ardhur koha të hapet edhe një hetim në Shqipëri, se nga vjen kjo para, ku secili e merr të personalizuar çadrën dhe hidhen balonat si dasmorë dhe të gjithë me iphone duke folur për varfrinë, me miliona lek fishekzjarre. Kjo do një përgjigje për një parti hipokrite e cila është gati të shpenzojë çdo luks të mundshëm për protesta të dhunshme”, tha Veliaj.


Ndaj, Veliaj theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit janë zgjedhje mes dy mentaliteteve, atij që përfaqëson opozita dhe që kërkon të shkatërrojë çdo gjë të bukur dhe atij që përfaqëson Partia Socialiste, që ka ditur të bëjë institucione dhe shtet.

“E keni vënë re që ca njerëz vetëm e shajnë Shqipërinë. Kur janë këtu këndojnë himnin me zë të çjerrë, por nuk duan me ja dit për himnin se e kanë ndërruar pasaportën. E shohin Shqipërinë vetëm për ta mjelë. E mjelin këtu, edhe ia pinë qumështin në Holandë. Jo të gjithë sillen siç jemi sjellë ne, që flasim vetëm mirë për Shëngjergjin, a thua se nuk e dimë ne që ka disa probleme që duhen zgjidhur. Por nuk e bëkemi të gjithë shqiptarët këtë punë. Ca shqiptarë vetëm bëjnë shqiponjën pas mitingjeve, ku kanë shkatërruar institucionet me stemën e shqiponjës. Ca shqiptarë e bëjnë shqiponjën, pasi kanë dhunuar policët me shqiponjë në ballë. Kjo nuk është normale. Kjo nuk është vetëm betejë partish, por betejë dy mentalitetesh të ndryshme. Disa shqiptarë që për mirë dhe për të keq janë gjithmonë aty, dhe flasin mirë për Shqipërinë, dhe disa të tjerë që marrin paratë e rusit, janë gati të paguajnë çdo lloj shkrimi që shan Shqipërinë. Nuk shkon kjo. Nuk është burrni”, tha Veliaj.

Jo vetëm kaq, por Veliaj theksoi se këto zgjedhje janë edhe një zgjedhje mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Sot nuk është punë PS-PD, sot është një zgjedhje mes Rusisë dhe Amerikës. Amerika foli qartazi se me kë është dhe kë po mbështet më 30 qershor për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ata që paraqiten në fushë. Nuk po mbështet PS-në, por po mbështet Shqipërinë. Sepse nuk po kandidon vetëm PS, fakti që unë jam numri dy do të thotë që është edhe një tjetër”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Tirana nuk mund ta pranojë bullizmin dhe shkatërrimin dhe se pas protestës sësrish do jetë e pastër dhe e regullt. “Një skuadër e tërë pastruesish, burra dhe gra që me një rrogë minimale mezi mundohen të mbajnë fëmijët do të rrijnë në gatishmëri me fshesën gati, që Tirana mos ta ndjejë traumën, sa të largohet ekskursioni i dhunës, të pastrohet menjëherë. Një ekip tjetër që pastron fasadat dhe rregullon gurët që shqyhen do të jenë gati. Kush i paguan këto kosto, i paguajnë shqiptarët. Po të na jepnin edhe ne një faturë nga pjesa ruse për këto shpenzime ja bënim hallall. Sepse rusët kanë sponsorizuar protestën, të sponsorizonin edhe pastrimin”, shtoi Veliaj.

(BalkanWeb)