* Meta: Në 4 vjet Shkodra do të pësojë transformimin më të madh nga të 61 bashkitë

* Meta: Luli gënjen edhe për qejf, vetë demokratët e Shkodrës thonë ai gënjen edhe kur tregon orën

SHKODËR- Koalicioni i majtë, Aleanca për Shqipërinë Europiane ka mbyllur fushatën elektorale në Velipojë, në një miting ku merrnin pjesë qindra përkrahës të kandidates së majtë Keti Bazhdari.

I pranishëm në këtë takim të fundit para zgjedhjeve të 21 qershorit, Kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se ASHE me Ketin do të arrijë një sukses historik në Shkodër, për ti dhënë krah aspiratave të të rinjve dhe të rejave për të realizuar projektet e tyre.

Kryeministri Rama ftoi qytetarët e Bashkisë së re të Shkodrës të votojnë kandidaten Keti Bazhdari, ndërsa u shpreh se PD “ende nuk e ka marrë veten nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Duke u ndalur tek potencialet që ka zona e Shkodrës, Rama tha se do të bashkëpunohet edhe me qeverinë e Malit të Zi për të thelluar investimet në infrastrukturë.

“Ka rëndësi të madhe që Shkodra të zgjedhë Keti Bazhdarin, pasi me të nuk do të fitojnë vetëm ata që janë socialistë, por edhe ata që janë demokratë. E kam fjalët për njerëzit e zakonshëm. E kam fjalën për ata që janë demokratë, dhe jo pjesë e familjeve të mëdha të PD-së që e mbajtën peng Shkodrën, duke bërë që sot ajo të mos jetë aty ku duhet. Shkodra nuk e meriton këtë. PD përfaqësohet nga gënjeshtari më i madh. Basha arrin të gënjejë sikur këndon. Nëse do zgjidhnin të kundërtën, në fakt demokratën do të zgjidhnin një problematike me të cilën Shqipëria janë ndarë njëherë e mirë në 23 qershor 2013. Por PD s’e ka marrë ende veten nga 23 qeshori. Nëse do ndodhte kështu, Shkodra do ishte e vetmja që do të ecte mbrapsh. Bashkia e re e Shkodrës është një territor me potenciale të jashtëzakonshme. Ne po shqyrtojmë projektin e rrugës së re që do të lidhë Shkodrën me Velipojën. Së bashku me qeverinë e Malit të Zi do të bëjmë një punë të përbashkët për të forcuar lidhjet në infrastrukturë. Jemi shumë të vendosur që t’i japim një nxitje të madhe zhvillimit ekonomik, urban e social, nga këtu e deri lart në alpe”, tha Rama.

META: LULI GËNJEU EDHE ALEATIN MË BESNIK, PAS 22 QERSHORIT I JAPIM JETE GJITHË PROJEKTEVE
Meta bëri thirrje që të mos votohet kandidatja e djathtë, pasi lideri i PD-së sipas tij gënjeu aleatin më besnik, Fatmir Mediun, duke kujtuar rastin e Agron Dukës, i përfolur si kandidat në Durrës.

“Fitorja është e jona dhe vetëm 72 orë punë deri në sekondën e fundit, deri në votën e fundit dhe ASHE me Ketin do të arrijë një sukses historik me Shkodrën, për ti dhënë krah aspiratave të të rinjve dhe të rejave për të realizuar projektet e tyre. Dje e gjithë Shkodra ka qeshur kur çifti Luli-Mediu doli të merrte nëpër gojë kandidaten tonë se për ne nuk ka problem. Po këta, nuk dua të them atë fjalë që thatë ju…po këta mendjelehtë a mendojnë këta që shkodranët mund ti besojnë një njeriu që gënjen për qejf, se nga halli edhe gënjen njeriu po Luli gënjen edhe për qejf, vetë demokratët e Shkodrës thonë ai gënjen edhe kur tregon orën. Edhe doli dje me Mediun dhe të gjithë e mbajnë mend se çfarë tha Mediu për Durrësin. Tha se ai na ka mashtruar se na tha se do të kandidonte Dukën në Durrës. Kur Luli gënjen aleatin më besnik të PD-së, a ka cip e turp Luli që të mos gënjejë Shkodrën dhe shkodranët?”, deklaroi Meta.

Ndaj sipas tij “më 21 qershor Shkodra do të votojë që bashkia të mos kthehet në një bunker partiak, ku Luli të vijë më 22 qershor të japë konferencë shtypi për të sharë qeverinë”.

“Bashkia e Shkodrës duhet të hapet njëherë e përgjithmonë për të gjithë qytetarët pa dallim partiak dhe këtë hapje e realizon vetëm një kandidate, Keti Bazhdari. Shkodrës nuk i duhet kënga Rama-Meta ka maru, sepse Shkodra e di shumë mirë se Rama-Meta akoma s’ka filluar por do fillojnë më 22 qershor ti japi jetë gjithë projekteve për Shkodrën”, tha kreu i LSI-së.

Kreu i Kuvendit shprehu bindjen se fitorja e Shkodrës do të jetë fitorja më e bukur dhe se në 4 vitet e ardhshme Shkodra do të pësojë transformimin më të madh nga të 61 bashkitë.

“Motra dhe vëllezër mos votoni për atë që gënjeu edhe aleatin më besnik Fatmir Mediun. Ndaj i ftoj edhe republikanët të votojnë Keti Bazhdarin. Fitorja e Shkodrës do të jetë fitorja më e bukur por jam i sigurt se në 4 vjet Shkodra do të pësojë transformimin më të madh në të gjitha 61 bashkitë. Prandaj me kulturë, me qetësi dhe dashuri për Shkodrën dhe Velipojën të votojmë për Keti Bazhdarin më 21 qershor”, tha ai.

BAZHDARI: BESIMI QË DO MË JEPNI, DO UA KTHEJ ME PUNË, SË BASHKU TË ZGJEDHIM DREJTIMIN E DUHUR

Kandidatja e ASHE-së për kryetare të Bashkisë Shkodër, Keti Bazhdari deklaroi nga Velipoja se do të jetë në krye të punëve dhe projekteve. Ajo premtoi se besimin e qytetarëve do ta kthejë me punën e saj, duke u bërë thirrje shkodranëve të zgjedhin drejtimin e duhur.

“Do jem në krye të punëve për të ndërtuar autostradën Shkodër-Velipojë. Velipoja do të trefishojë periudhën e saj të sezonit turistik. Do ndërtojmë pikën frigoriferike të grumbullimit të produkteve bujqësore më të madhe në vend. Do ngremë disa tregje të reja, moderne përfshirë edhe atë të produkteve bujqësore. Hapësira falas dhe tarifa zero për të gjithë të rinjtë sipërmarrës. Do ndërtojmë qendrën artizanale. Do punojmë fort për rikualifikimin urban. Do bëjmë investime në argjinatura, borde kullimi, kanale vaditëse dhe ujësjellës. Të dashur qytetarë, më 21 qershor nuk votohet për sedrën e sëmurë të dikujt që mendon se e fiton Shkodrën se e ka bastion. Më 21 qershor ne do ta kthejmë Shkodrën aty ku ka qenë në histori. Besimi që do më jepni, do ua kthej me punë. U bëj thirrje të gjithë se bashku të zgjedhim drejtimin e duhur”, deklaroi Bazhdari.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb