NGA:AURORA KOROMANI*TIRANE-Për herë të fundit me vëllanë fola mesnatën e së martës dhe më tha se çdo gjë shkonte mirë”. Ky është rrëfimi i vëllait të efektivit që humbi jetën mëngjesin e djeshëm në Lazarat. Denis Basha tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se vëllai i tij e kishte marrë shërbimin mëngjesin e së martës dhe i kishte thënë se ishte i gatshëm. Në familjen Basha në afërsi të repartit të Zall-Herrit, deri në orën gjashtë pasdite prisnin trupin e birit të tyre, ndërsa të gjithë kërkonin nga shteti kapjen e autorëve të tragjedisë. “Apeli që kemi për shtetin është që të zbulojë autorët e vrasjes dhe të vendoset drejtësia për vrasjen e vëllait tim”, shprehet Denisi, në sytë e të cilit nuk pushojnë lotët për atë që ka ndodhur.
Kur e morët vesh lajmin për vrasjen e vëllait tuaj?
E morëm vesh sot në mëngjes (dje), pasi e pamë në televizor. Nuk erdhi askush të na thoshte gjë. Kur e pamë se kishte ndodhur diçka me forcat e RENEA-s, patëm frikë se i kishte ndodhur diçka Ibrahimit dhe më vonë kur doli emri, kuptuam se bëhej fjalë për vëllain.
Kur u nis vëllai juaj me shërbim?
Vëllai e ka marrë shërbimin mëngjesin e datës 23 qershor, e përcolla deri tek rrethrrotullimi i Institutit Bujqësor dhe aty takoi kolegun e tij. Kjo ishte hera e fundit që e pashë gjallë vëllain tim.
E dinit që do shkonte në Lazarat?
Jo, nuk e dija, sepse nuk na tregonte shërbimet që kryente për shkak të punës sekrete që kishte. Dija vetëm që ishte i gatshëm.
Po në telefon folët gjatë kësaj kohe me vëllain tuaj?
Folëm në telefon disa herë deri në orën 12 të mesnatës, por më tha se çdo gjë ishte mirë, se nuk kishte asnjë problem dhe se çdo gjë ecte si ditët e tjera, normalisht.
Sa kohë kishte vëllai juaj që ishte pjesë e repartit RENEA?
Vëllai kishte që në dhjetor që ishte pjesë e këtij reparti, më parë ka qenë pjesë e grupit të komandove, që kanë shkuar me misione në Afganistan. Që prej vitit 2004, vëllai im ishte përzgjedhur katër herë për të shkuar me mision në Afganistan. Në vitin 2010, Ibrahimi u bë pjesë e forcave speciale të Zall-Herrit dhe kishte vetëm 6 muaj që ishte pjesë e forcave të RENEA-s. Vëllai im ka qenë një njeri që e donte punën, ishte njeri guximtar dhe prandaj u fut te forcat e RENEA-s.
I kishit thënë ndonjëherë vëllait tuaj se duhej të largohej nga kjo punë?
Jo, sepse Ibrahimi e donte punën e tij. Unë e dija dhe të gjithë ne e dinim se ai e donte operacionin, e donte policinë, ushtrinë, e donte aksionin, ishte ëndrra e tij.
Cili është apeli që ju keni për shtetin?
Vëllai im u vra për shtetin dhe shteti duhet të zbardhë ngjarjen. Shteti duhet të kapë dhe të dënojë autorët për këtë ngjarje. Duam të dimë se si u vra, kush janë përgjegjësit për vrasjen e vëllait tim, i cili po bënte vetëm detyrën e tij.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb