Anila Lipo është nga Durrësi dhe vjen sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 për të rrëfyer një histori jo si të tjerat. Vëllai i saj Artani ishte 42 vjeç kur humbi jetën në një aksident automobilistik.

Duke qenë se Artani jetonte në Itali filluan atje proceset gjyqësore. Gjatë jetës së tij ai kishte pasur 2 martesa të dështuara, e motra thotë se ishte divorcuar me të dyja gratë që kishte jetuar dhe nuk kishte lënë pas asnjë trashëgimtar.

Pas vdekjes ish-gruaja e parë ka bërë një sërë tentativash për të pasur mundësi për të marrë dëmshpërblimin. Ajo ka shkuar në gjykatë dhe ka zhbërë divorcin, pas vdekjes së Artanit ajo ka anuluar divorcin dhe e konsideron veten e veja e tij. Madje duke deklaruar se nuk e dinte që ishte divorcuar ajo ka arritur të fitojë në të dyja gjykatat në atë të Shkallës së Parë dhe në Apel dhe ka arritur të fitojë statusin si e veja e Artan Lipos.

Familjarët e të ndjerit kanë bërë kallëzim për mashtrim në prokurori, kjo çështje nuk ka përfunduar ende në gjykatë por Anila thotë se prokuroria ka kërkuar 4 vite burg për zonjën duke vërtetuar kështu se zonja ka mashtruar. Familja Lipo bën apel që kjo çështje të zgjidhet e të dalë nga lista e trashëgimtare të Artanit zonja e cila po bën gjithçka për të përfituar disa para të cilat nuk i takojnë.

“Kemi 11 vjet që nuk po na lënë të qajmë vëllain. Nuk di se kujt t’i drejtohem më dhe t’i përplas këto dokumente. Na kanë masakruar gjykatat e Durrësit. Vëllai im nuk vdiq njëherë por 11 herë që sorollatet poshtë e lart. Kërkoj ndihmë të zbardhet e vërteta”, deklaroi e motra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb