TIRANE- Dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko pritet të merren në pyetje ditën e sotme nga Prokuroria e Tiranës. Pas arrestimit, të dyshuarit kryesorë për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në aksionin e 4 ditëve më parë në fshatin e Lazaratit për kapjen e grupit të armatosur që kish sulmuar policinë lokale, janë transportuar fillimisht në komisariatin e Gjirokastrës e më pas nën masa të rrepta u shoqëruan drejt Policisë së Tiranës me eskortë policie.

Gjatë ditës së sotme janë marrë në pyetje gjithashtu edhe tre të ndaluar të tjerë për ngjarjen e Lazaratit, Klodian Selimi, Elvis Boci, dhe Dervish Gaba.

Grupi prej pesë prokurorësh po trajton këtë çështje. Prokurorët Xholi dhe Hajdarmataj kanë nisur procedurat paraprake deri në marrjen në pyetje të vëllezërve Aliko. Kondili dhe Martini po kryejnë veprimet hetimore në Lazarat, ndërsa prokurori Njazi Seferi është angazhuar në Prokurorinë e Krimeve të Renda për procedurat ligjore lidhur me këtë çështje.

Dy vëllezërit 18 dhe 20 vjeç u arrestuan në një tunel në Kardhiq, 20 kilometra larg Lazaratit, në një zonë malore e cila ndodhet midis Gjirokastrës dhe Tepelenës. Arbjon dhe Alban Aliko nuk kanë bërë rezistencë gjatë prangosjes dhe në momentin e arrestimit ata nuk kanë pasur armë. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda grupi i zjarrit në Lazarat përgatitej prej gjashtë muajsh.

AVOKATI FANA: ENDE NUK KA NISUR MARRJA NË PYETJE E 2 VËLLEZËRVE, SHKAK, PROCEDURAT DHE GJENDJA E RËNDUAR PSIKOLOGJIKE
Ora 17:40- Avokati i vëllezërve Aliko, Neshat Fana ka folur sërish për mediat duke deklaruar se marrja në pyetje e klientëve të tij nuk ka nisur ende për shkak të procedurave dhe gjendjes psikologjike të rënduar të tyre. Fana ka pohuar se ka biseduar me dy vëllezërit Aliko por nuk mund t’i bëj publike deklaratat e tyre.
“Ende nuk ka nisur marrja në pyetje e 2 vëllezërve. Kjo për shkak të procedurave dhe gjendjes së rënduar psikologjike. Kam biseduar me ta, por nuk mund t’i bëj publike”, ka thënë avokati Fana. Ndërkohë për sa i përket masës së sigurisë, ai ka deklaruar se afati i fundit ligjor është dita e nesërme.

DY VËLLEZËRIT ALIKO ME AGJËRIM, KËRKOJNË GARANCI PËR JETËN
Ora 15:46- Dy vëllezërit Aliko nuk kanë dhënë ende shpjegime në lidhje me ngjarjen e rëndë. Për rreth dy orë janë kryer procedurat ligjore, marrja e shenjave të gishtërinjve, kampionë nga rrobat, analiza gjaku, e prova të tjera shkencore për të verifikuar nëse janë dy vëllezërit Aliko që kanë qëlluar policinë. Më vonë pritet të nisë marrja në pyetje e dy vëllezërve. Deri tani ata nuk kanë dhënë ndonjë detaj por kanë kërkuar mbrojtje dhe garanci për jetën. Dy vëllezërit janë me agjërim dhe nuk kanë pranuar ushqim. Për shkak edhe të ditëve të fundit në arrati, ndihen pak të lodhur dhe gjendja e tyre shëndetësore nuk është e mirë.

AVOKATI I DY VËLLEZËRVE ALIKO PËR “NEWS24”: QËNDRIMI I TYRE I PRERË, JO AUTORË TË NGJARJES
Disa minuta para marrjes në pyetje të vëllezërve Aliko, avokati i tyre Neshat Fana është shprehur për “News 24”, se kjo është një procedure normale, në mënyrë që dy të akuzuarit të shprehin pozicionin e tyre. Fana thotë se si avokat i dy vëllezërve do të mbrojë interesat e tyre, dhe të adresojë atë që pretendon Arbjoni dhe Albani.

“Kjo është një seancë normale, për procedure. Çdo person ka të drejtë të shpjegojë qëndrimin e tij. Jam i autorizuar të adresoj ato çka ata pretendojnë. Babai i tyre ka qenë shumë aktiv për këtë, ka qenë një nga negociatorët kryesorë të dorëzimit të tyre. Por ata shprehen prerë se nuk janë autorë të vrasjes”, u shpreh Fana.

Dy vëllezërit Aliko do të merren në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, nga dy prokurorët Xholi dhe Hajdarmataj, ndërkohë që i pranishëm në këtë seancë do të jetë edhe avokati i tyre mbrojtës, Neshat Fana.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb