Me dhjetë vota “pro” dhe shtatë “kundër” Komisioni për Çështje Kushtetuese miratoi leximin e parë të propozimit për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Komisioni votoi dy konkluzione: qasja drejt ndryshimit të Kushtetutës dhe përgatitja e draft-amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Në debatin e parë për ndryshimet kushtetuese në Parlament, kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se nëse nuk votohen ato, do të ndërpritet procesi i integrimit të vendit në BE. Sipas tij me futjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk cenohet identiteti kombëtar dhe shtetëror i maqedonasve.
“Nuk duhet ta humbim këtë shans për Evropën. Ndodhi një herë kur u ndamë nga Kroacia. E nëse do të ndodhë edhe këtë vit, do ta vendosni ju në Parlament. Përfaqësuesit evropianë paralajmërojnë se ekziston rreziku i ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen para fundit të vitit. Kjo do të thotë se ato nuk janë të diktuara, por janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në”, tha Kovaçevski.
Osmani: Nevojitet një front evropian
E ardhmja e vendit nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë, por e kujtdo që është dakord që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Vendi është në pikë kritike dhe nëse dëshiron të shohë progres duhet të marrë përgjegjësi, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
“Është e nevojshme të krijohet një front evropian që do të marrë rolin udhëheqës në atë rrugë dhe do të jetë më shumë se udhëheqje e politikës ditore. Tani është koha kur duhet të mbajmë përgjegjësi për këtë vend, sepse në fund të fundit politika është mbi të gjitha shërbim, është një lloj përgjegjësie ndaj njerëzve që ju kanë dhënë besimin. Tani është koha e Frontit për Europën”, tha Osmani.
Aziri: Duhet të synojmë rrugën tonë në BE
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, në seancën e Komisionit për Çështje Kushtetuese tha se anëtarësimi në BE është pista dhe rruga jonë. Çdo refuzim apo mospërkrahje në këtë rrugë do të dëmtojë të gjithë qytetarët. “Fatkeqësisht, sot ne demonstrojmë mungësë kapaciteti për të marrë përgjegjësi. Çështjet që janë më të vështira zgjidhen gjithmonë me kompromise dhe ne jemi gati për këtë, por fatkeqësisht ata që sot improvizojnë luftime false për identitetin e tyre nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë për ne”, tha Elmi Aziri.
Apasiev: Nuk do të ketë kurrë ndryshime kushtetuese
Deputeti dhe kryetari i Partisë “E Majta” Dimitar Apasiev tha se nuk do të ketë kurrë ndryshime kushtetuese “sepse mendojmë se një debat i tillë është i pavlerë.
Kryeministri ka bërë llogarinë pa hanxhiun, ai ka hyrë në këtë proces pa siguruar dy të tretat e shumicës.” Sipas tij qeveria e Shkupit nuk ka siguruar asnjë garanci shtetërore se Bullgaria dhe vendet e tjera nuk mund të vendosin veto të reja në rrugën drejt BE-së.
Micevski: Opozita nuk bindet për ndryshimet e Kushtetutës
Koordinatori i deputetëve të opozitës maqedonase nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha se ndryshimet kushtetuese bëhen nën diktimin e Bullgarisë dhe se nuk opozita do t’i mbështesë ato asnjëherë. “Ndryshimet kushtetuese nën diktim, presion dhe imponim janë të pamundura dhe ne nuk do t’i mbështesim kurrë, sepse është shkelje e drejtpërdrejtë e sovranitetit të një vendi. Sovraniteti vjen nga populli, ndërsa një shumicë dërrmuese e njerëzve mbi 80 për qind i thonë ‘jo’ kësaj lloj dhune nga qeveria.” – deklaroi Micevski./DW/