Austria është vendi i Bashkimit Evropian që është më i varuri nga importet e gazit rus dhe rrezikon të përfundojë në duart e së djathtës ekstreme pro-ruse.

Zgjedhjet në Austri të 29 shtatorit mund të shënojnë një kthesë të vërtetë, jo vetëm për Vjenën, por edhe për pjesën tjetër të Evropës. Të kesh një shtet anëtar që është ende shumë i varur nga Moska për furnizimin e saj me energji mund të dëmtojë përpjekjet e të gjitha shteteve anëtare. Megjithatë, sondazhet i japin përparësi Herbert Kikl, i cili nuk ka ndërmend të heqë dorë nga marrëdhëniet me Vladimir Putin.

Çfarë thonë sondazhet për zgjedhjet në Austri
Sondazhet në Austri përpara datës kyçe të 29 shtatorit nuk tregojnë asnjë parti me një avantazh të mjaftueshëm për të marrë një shumicë absolute. Me një avantazh të vogël është partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirive (FPÖ), e cila ka mbajtur qëndrime të paqarta me Moskën që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Qeveria austriake udhëhiqet aktualisht nga Karl Nehammer i Partisë Popullore Austriake (ÖVP), e cila erdhi në pushtet në dhjetor 2021. Në të njëjtin koalicion qeverisës është edhe Partia e Gjelbër. Kjo është aleanca e parë mes këtyre dy partive në nivel federal. Nga sondazhet parazgjedhore, duket se dy partitë e koalicionit qeveritar janë pas FPO-së.

Varësia e Austrisë nga gazi rus
Që kur Moska pushtoi fqinjin e saj në vitin 2022, ndërsa Bashkimi Evropian ka lëvizur për të zëvendësuar me shpejtësi importet e gazit rus, Austria ka qenë shumë e ngadaltë në këtë proces. Në korrik, Vjena ende importonte 83 % të gazit të saj nga Rusia, ndërsa në vitin 2023 pjesa mesatare e gazit të importuar nga Moska në BE kishte rënë në 15 për qind. Kërkimi për burime alternative të energjisë deri më tani nuk ka garantuar sukses të madh. Dhe për 26 shtetet e tjera të bllokut europian, kjo varësi e vazhdueshme po bëhet problem.

Mbi të gjitha, të Gjelbrit austriakë po bëjnë presion për një tranzicion më të shpejtë, por pesha e tyre në qeverinë aktuale është dukshëm më e ulët se Partia Popullore. Kancelari Nehammer u angazhua gjithashtu për çlirimin e vendit nga zgjedha e Moskës, duke u fokusuar në importet që kalojnë nga Gjermania dhe Italia. “Varësia e lartë nga furnizimet me gaz rus paraqet një rrezik të konsiderueshëm ekonomik dhe të sigurisë për Austrinë”, tha Ministria e Ekonomisë në një deklaratë për shtyp, duke argumentuar se është “thelbësore për sigurinë e vendit tonë që të reduktohet më tej konsumi i gazit dhe të ndalohet blerja e gazit rus.

Rreziqet e një ndërprerjeje të papritur të gazit rus
E djathta ekstreme e FPÖ ka një opinion të ndryshëm, ku sondazhet e vendosin atë në rreth 27-29 përqind. Sipas liderit Herbert Kickl, gazi rus duhet të vazhdojë të jetë pjesë e përzierjes energjetike të Austrisë. Megjithatë, mungesa e distancimit të qartë nga Moska po izolon partinë e tij, e cila nuk është në gjendje të gjejë mbështetje për krijimin e një koalicioni. Me përjashtim të çdo surprize, ndonëse me një avantazh minimal, Partia Popullore duhet të fitojë sërish, e cila në varësi të rezultateve mund të vazhdojë me të Gjelbërit apo edhe të shkojë drejt socialdemokratëve.

Wien Energie, kompania e energjisë elektrike që dominon skenën energjetike vjeneze, tha në shtator se do të braktisë gazin rus duke filluar nga viti 2025. Megjithatë, Ukraina ka thënë se nuk do të rinovojë marrëveshjen me Gazprom për transportin e gazit rus në Austri, e cila është planifikuar të skadojë në fund të vitit 2024. Nëse nuk ka ndryshime, Vjena mund të përballet me një krizë energjetike për Vjenën. Dhe sipas ekspertëve, një ndërprerje e papritur e furnizimeve ruse mund të rrisë çmimet me shumicë të gazit me rreth 20 për qind në harkun nga 2 deri në 6 muaj. Kjo do të ishte një goditje për ekonominë austriake, e cila tashmë është ndëshkuar nga inflacioni në rritje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb