Nga: ILIRIAN ZHUPA *
Regjimi i kaluar, për t’i rënëhasha asaj ç’ka ishte Shqipëria dhe shqiptarët, para se
komunistët të vinin në pushtet, krahas shumë masave të tjera shtrënguese, si internimet, burgimet, sekuestrimet, shpronësimet, pushkatimet, etj., vuri në përdorim edhe mekanizmat e tij filologjikë. Pasi pushteti vërtet erdhi përmes grykës së pushkës, por mbas mbarimit të luftës, as pushka dhe as topi nuk mund të jepnin atë produkt që jepte fjala e përdhuntë. Edhe kur nuk besohet më në Bibël e Kuran, edhe kur era e barutit dhe fëlligështisë krijojnë alivani dhe mpirje në qenien e përkequr njerëzore.
Kështu, ditë pas dite, në Shqipërinë komuniste, filloi të mbijë e të shtohet, rrallë po qëndrueshëm, fjalëza prejfoljore “ish”, e cila kryente dy funksione. Së pari, e zhvishte njeriun, pronën e gjendjen nga cilësitë e tyre të mëparshme e të vetvetishme, pra duke ua prerë kordonin e duke i lënë cullak si të sapolindurit dhe; së dyti, u vinte një damkë veçimi e zhvlerësimi, përbuzjeje e talljeje, që në rrethanat e përgjithshme ku ato gjallonin, krijonte trandje ndjellakeqe e frikë, në gjindjen që frymon dhe vë në punë instinktin shekullor të mbijetesës së llojit. Me këtë fjalëz-parashtesë u etiketua së pari monarku, pra ish-monarku; klasat e përmbysura, pra ish-klasat e përmbysura; kundërshtarët ideologjikë si ballistët, pra ish-ballistët; legalistët, alias ish-legalistët, etj., etj.
Një përdorim i tillë i ngulmët, gradualisht filloi të rrënjosë në ndërgjegjen e brezave të mëpastajmë, që nuk e kishin ndjerë në lëkurë dhe nuk e kishin parë në sy të kaluarën, ndjesinë e ngjarjeve, njerëzve dhe përkatësive tepër të largëta, të kaluara e të harruara, si të thuash të përtejkohëshme dhe të përtejbotshme. Ngjarje, kohë, marrëdhënie, qenie njerëzore të atrofizuara përfundimisht, të mbuluara nga mosqenia dhe balta, të ndriçuara me projektorët tragjikomikë të “lojës” së re; pa asnjë shans rimëkëmbjeje dhe rikthimi mbrapa, pra si ish-kohë, ish-ngjaje,ish-marrëdhënie, ish-njerëz, ish-ide, ish-përpjekje dhe ish-ëndrra.
Bota demokratike në të cilën rrekemi të hyjmë, pavarësisht se është një nxitëse e fjalës dhe mendimit të lirë, në zgjedhjen e vet linguistike, midis fjalëzës “ish” dhe foljes “është”, ka zgjedhur këtë të dytën. Pasi cilësia e lirisë ka të bëjë me thelbin e ngjarjeve, individëve dhe epokave, dhe jo me eufemizimin e tyre. Kësisoj, me plot gojën, fashistëve u thuhet fashistë dhe jo ish-fashistë edhe sot e kësaj dite; po kështu kolaboracionistëve, nazistëve, komunistëve, ekstremistëve dhe gjithë-istëve të tjerë.
Ndërkaq, ndër ne, harliset e harbohet në mënyrë qëllimkeqe e të mbrapshtë bimësia e dendur “demokratike” e ‘ish’-it. Aq sa të krijohet përshtypja, se je në një vend hijesh e fantazmash, prej të gjitha kohërave e përmasave, por jo në një vend ku ngjajnë gjëra; synohet të bëhen drejtësi e punë; gëzohen tokë e qiell, ditë e netë; jetohet, ëndërrohet, lindet dhe vdiset.
Goditja e parë bizare, iu bë mu asaj shtrese që kishte luftuar e vuajtur më shumë, por kishte mbijetuar: -Të burgosurve politikë të regjimit komunist, të cilët sapo dolën nga thellomat e llagëmet e purgatorit nën qiellin e hapur, u pagëzuan me nxit si ish-të persekutuar. Më tej të njëjtin fat pësuan pronarët, duke u pagëzuar si ish-pronarë; të internuarit si ish-të internuar, intelektualët si ish-intelektualë; specialistët si ish-specialistë, etj. Me këtë mënyrë të ligë, ka çerek shekulli që kësaj mase historikisht vitale të vendit, përpiqemi t’ia tjetërsojmë e retushojmë me dhunën e fjalës thelbin e vet. Ta lëmë në hangarin e lagështitur e të mykur të rraqeve e vjetërsirave, të cilat ndërkohë i nxjerrim në mexhlis rrallë e më rrallë dhe vetëm pse na duhen për një copë herë, për qëllimet tona, (kupto: -përfitimet tona) “demokratike”.
Ish-i, në turravrapin e vet, mbasi ka çapëlyer ato pak pëllëmbë truall e gjë që Zoti na dha për hise qysh në krye të herës; ato pak artifakte e memorie historike që kishin mbijetuar me të keq; tashmë duket se është ulur këmbëkryq në odanë e miqve, për të mbyllur punën e vet kryekrejt. Aq sa të thuash, se në mijëra vjet, jetën dhe përpjekjet tona i shkruam në ujë dhe në ajër; punët dhe ëndërrimet tona i kishim veç mirazhe dhe vijimësia e së mirës dhe së keqes sonë ishte një zgjëndër që i ngjan një stine që nuk kthehet më.
Damka e “ish”-it, konceptit asgjësues që mbart kjo fjalëz e brishtë, në përdorimin e ethshëm 25-vjeçar, ka arritur fatkeqësisht të matrikulojë pjesën më vitale e legjitime të këtij vendi, me qëllimin e mbrapshtë të nxjerrjes së saj nga “inventari aktiv”. Nga ana tjetër, “made ish”, është përdorur për të bërë alibinë e njerëzve që investuan në diktaturë ligësi, verbëri e lakmi, si telakë mbijetues, që sërish kjo kategori të jetë një mall i ricikluar në ballë të vitrinave të Mapos sonë demokratike. Spiunët, borizanët, operativët, sekretarët e partisë, prokurorët, byroistët, kryetarët, gardianët, soji e sorollopi i tyre, në procesin alkimik të demokracisë sonë janë shndërruar në ish-spiunë, ish-borizanë, ish-operativë, ish-sekretarë partie, ish-prokurorë, ish-byroistë, ish-kryetarë, ish-gardianë, ish-soj e sorollop i asaj, që në fakt ishin dhe vazhdojnë tejetëhu të jenë.
Kësisoj, kemi arritur një fitore si të Pirros, mbasi kemi mposhtur një ish-diktaturë me ata pak ‘ish’-ër të saj; paskemi filluar procesin e teknologjisë së lartë për të “emetuar” ‘ish’-ët tanë. Në çerek shekulli bëmë disa ish-presidentë, disa ish-kryeministra, qindra ish-ministra, mijëra ish-deputetë; dhjetëra-mijëra ish-drejtorë e ish-shefa. Ky “ish” i vogël i futi në një thes ata pak shqiptarë që investuan gjithçka për këtë vend, me ata shumë demagogë që e vodhën me gjithçka këtë vend; ata pak idealistë që e deshën me gjithë shpirt, me ata shumë të babëzitur që e përdhunuan me gjithë epsh.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë efemerë si stinët. Të gjithë jemi të humbur nga përdorimi i bisturisë së hollë të “ish”-it, pavarësisht nga përfitimet e çastit që mund të sigurojmë. Nga përdorimi i këtij mekanizmi abuziv që ka prodhuar kaq shumë ish-njerëz të të gjitha përkatësive dhe zejeve; kaq shumë ish-parqe, ish-heronj e tradhtarë, ish-institute, ish-pyje, ish-përrenj e lumenj, ish-monumente kulture, ish-fshatra, ish-liqene të Lurës… Është koha të heshtet kjo ishnajë dhe gjërat të thirren me emrat që kanë. Në këtë vend që s’duhet ta bëjmë një ish-vend…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: