Kuvendi i Shqipërisë njoftoi dje anulimin e seancës parlamentare të parashikuar për të enjten në ora 10:00. Shkak për këtë vendim është vizita në Shqipëri e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Mbi vendimin ka reaguar grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Në reagim thuhet se vendimi është personal i kryetares së Kuvendit, dhe antikushtetues.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij“, thuhet në njoftim.

REAGIMI:

Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kyetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.

Anullimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: