NGA MIRSAD RAKAJ*

SHKODËR- Vendimet e padrejta që jepen nga gjykatat tona kanë çuar jo pak herë deri në hakmarrje e vetëgjyqësi. Kështu ka ndodhur edhe me 27-vjeçarin Lazër Qukaj, nga fshati Kasnec i Dukagjinit, i cili akuzohet për plagosje për motive gjakmarrjeje. Gjykata e Krimeve të Rënda vetëm 4 ditë më parë vendosi dënimin e tij me 21 vjet burg, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e Shkodrës e nxori atë të pafajshëm.

Ky është një vendim i nxituar, që një person i akuzuar për plagosje të dënohet me kaq shumë vite burg. Ky vendim ka bërë që marrëdhëniet mes fiseve Qukaj dhe Prroj të acarohen gjithnjë e më shumë”. Kështu deklaroi dje për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Misionit dhe Pajtimit të Gjaqeve për Qarkun e Shkodrës, Nikollë Shullani. Reagimi i tij ka ardhur një ditë pas arrestimit të të riut nga blutë e qytetit verior dhe FNSH-ja.

Ai tha se ka qenë në negociata për pajtimin e këtyre fiseve, por vendimi i padrejtë nga institucionet e drejtësisë shqiptare u ka prishur mjaft punë. Sipas Shullanit, vendimi i dhënë nuk ka lënë mundësi më për pajtim. “Jam në dijeni të këtij rasti, pasi unë me 20 burra të fshatit Kir kemi vizituar këto dy familje për t’i pajtuar. Edhe nëse kishim një gjysmë shprese për pajtim, tani na u mbyll rruga.

Kjo për faktin se familjarët e Lazër Qukajt janë të acaruar nga vendimi që ka dhënë gjykata”, – pohoi Shullani. Ndërkohë, kreu i Misionit të Pajtimit të Gjaqeve në Shkodër sqaroi se në kontaktet që ka pasur me familjarët e Lazrit, ata kanë qenë dakord që ai të kryente dënimin për plagosjen e kryer, që në fakt ishte më shumë një gërvishtje e lehtë nga plumbi, por jo të dënohej me 21 vite burg siç ndodh rëndom për vrasje.

KREU I PAJTIMIT TE GJAQEVE
Nikollë Shullani u shpreh se fiset Qukaj dhe Prroj kanë mbi 5 vjet që janë në hasmëri, dhe deri tani janë vrarë tre persona nga të dyja palët dhe një i plagosur. “Lazër Qukaj është xhaxhai i Marijes 17-vjeçare, e cila u vra teksa po punonte në arë me gjyshin Kolë Qukaj. Fisi Prroj nga turpi që kishin shtënë mbi një femër janë detyruar të thonë se nuk e kishin kryer ata vrasjen. Jam i sigurt që e kanë ngatërruar Marijen me xhaxhain e saj Lazrin, pasi ditën që ndodhi ngjarja ajo ka qenë me flokë të kapur e kapele në kokë, dhe me pantallona të shkurtra. Autorët kanë qëlluar nga pas shpine në drejtim të Marijes, dhe më pas, kur pushka nuk shtiu në objektivin që ishte Lazri, kanë qëlluar për vdekje edhe gjyshin e saj”, – sqaroi Shullani.

Sipas tij, ekzekutimi i vajzës ishte i patolerueshëm, por deri diku është i bindur se ishte më shumë një gabim, pasi gjakësit e kanë ngatërruar atë me djalin e shtëpisë së Qukajve, me Lazrin.

Ja si nisi historia e gjakmarrjes mes fiseve Prroj dhe Qukaj në Dukagjin
Hasmëria mes fiseve Prroj dhe Qukaj nisi në vitin 2010, me vrasjen e 63-vjeçarit Ndoc Prroj. Sipas policisë, autor i krimit ishte Gjokë Qukaj, vëllai i 17-vjeçares Marije Qukaj. Po në atë kohë, policia deklaroi se ngjarja ndodhi për motive pronësie, për një vijë uji.

Edhe pse blutë arrestuan Gjok Qukajn për ekze-kutimin e Ndoc Prrojit, sherri mes dy fiseve ka vijuar dhe agravuar më shumë. Duke qenë se autori i vrasjes së 63-vjeçarit ishte në burg, pjesëtarët e fisit Prroj vendosën që të merrnin hak, duke vrarë një nga meshkujt e fisit Qukaj. Më 14 qershor të vitit 2012, 70-vjeçari Kolë Qukaj ishte duke punuar në tokat e familjes së tij bashkë me mbesën 17 vjeçe, Marijen, kur u qëlluan me breshëri automatiku. E para u vra vajza, ndërkohë që gjyshi i saj ka bërtitur dhe u është drejtuar autorëve: “Vra-të mbesën time mor!”.

Pas kësaj është qëlluar për vdekje edhe i moshuari. Për këtë ngjarje u akuzua 34-vjeçari Arjan Prroj, i cili, një vit pas kryerjes së krimit të dyfishtë u arrestua në tragetin e linjës Ancona-Durrës, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria. Ndërkaq, vëlle-zërit Gjergj dhe Lazër Qukaj ishin betuar në varrin e kushërirës se do ia merrnin hakun.

Në vitin 20014, dy vëllezërit qëlluan dhe lanë të plagosur Nik Prrojin. Pas ngjarjes, Gjergj Qukaj u arrestua dhe aktualisht po vuan dënimin. Ndërsa, vëllai i tij u arrestua të dielën, ndërsa është dënuar me 21 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: