Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme një sërë vendimesh të rëndësishme.
Qeveria vendosi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Z. Ilir Kerni, i cili dha dorëheqjen 4 ditë më parë.

Po kështu qeveria vendosi sot Miratimin e udhërrëfyesit të politikës së investimeve të qeverisë shqiptare.

Një ndër vendimet ka të bëjë me kalimin në përgjegjësi administrimi të disa mjediseve të godinës së Institutit të Ndërtimit, Tiranë, për t’u përdorur për mjedise pune të disa institucioneve.

Qeveria vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës ‘Dervish Hekali’, i hapësirave përreth saj dhe rehabilitimi i fasadave”, Fier.

Në mbledhjen e sotme u vendos edhe shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës ‘Mujo Ulqinaku’ (seg. dytë) dhe rrugës ‘Jakov Mile’”, Fier.

Qeveria vendosi miratimin e trajtimit financiar për kategoritë e punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a. Qeveria mori vendim edhe për trajtim të veçantë të Drejtorit të Policisë së Shtetit pas përfundimit të mandatit.

Gjithashtu Këshilli i Ministrave vendosi dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Zhvillimit Urban, për Institutin e Ndërtimit, Tiranë, për një periudhë 30-vjeçare, të objektit nr.2, me sipërfaqe 458 (katërqind e pesëdhjetë e tetë) m2, komponent i pronës nr.90, me emërtim “Reparti ushtarak nr.4400 (Ish-Shtabi i KML-së)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, për ta përdorur në funksion të veprimtarisë së Institutit të Ndërtimit, Tiranë.

Qeveria vendosi miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për trajnimin dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë ushtarake.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: