TIRANE- Zyra e shtypit të Këshillit të Ministrave zbardhi të gjitha vendimet e mbledhjes së sotme të qeverisë. Referuar këtyre vendimeve qeveria shqiptare ka vendosur të njohë gjuhën e shenjave për njerëzit që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë.


“Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është autoriteti përgjegjës për koordinimin e procesit të zbatimit të detyrimeve si dhe të vlerësimit e të bashkërendimit të legjislacionit, politikave, programeve për gjuhën e shenjave në Shqipëri dhe çështjeve që lidhen me respektimin e të drejtave të personave që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të hartojë platformën me masat për veprim, në zbatim të këtij vendimi, ku të përcaktohen detyrimet për institucionet që duhet të ofrojnë shërbimin e gjuhës së shenjave”, thuhet më tej në vendim.


Një nga vendimet ishte ai i miratimit në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant, të siguruara nga qeveri të ndryshme nën Fondin e Veçantë të Aksionarëve të BERZH-it, për by-pass-et rrugore të Fierit e Vlorës. Në vendim thuhet se bëhet fjalë për asistencë teknike për mbështetjen e zbatimit të projektit në Shqipëri, në shumën 249 996 (dyqind e dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.


Një vendim tjetër ishte ai i shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “by-pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë si dhe nga ndërtimi i segmentit rrugor “Shkodër- Hani i Hotit.

Një tjetër vendim i qeverisë është me shumë rëndësi edhe për personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, pasi parashikohen disa ndryshime përsa i përket dokumenteve.

“Në vendimin nr.904, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Pas shkronjës “f”, të pikës 3, shtohen shkronjat “g”, “gj” dhe “h”, me këtë përmbajtje: Vërtetimin për regjistrimin në shkollë për fëmijët që fillojnë klasën e parë;Vërtetimin për ndjekjen e shkollës lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor; Fotokopje të librezës së vaksinimit që provon vaksinimin sipas kalendarit të detyrueshëm për grup-moshat e fëmijëve.”. Pas pikës 17 shtohen pikat 17/1 dhe 17/2, me këtë përmbajtje:
“17/1. Për ata anëtarë të familjes, fëmijë, të cilët vërtetojnë se ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar, deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 (treqind) lekë në muaj gjatë vitit shkollor. 17/2. Për ata anëtarë të familjes, fëmijë, të cilët vërtetojnë se janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit, marrin një shtesë në masën 100 (njëqind) lekë për çdo vaksinë të kryer.”. Në shtojcën 1, bashkëlidhur vendimit, formulari “Pjesa 1: Demografia e familjes” zëvendësohet me formularin me të njëjtin titull që i bashkëlidhet këtij vendimi”, sqarohet në vendim.

Një tjetër vendim që vjen në ndihmë të punëtorëve është ai që mbron të gjithë punonjësit nga risqet lidhur me rrezatimin optik në vendin e punës, si dhe për mbrojtjen e punonjësve nga risqet lidhur me dridhjen mekanike dhe rrezatimet jojonizuese.

Ndër të tjera janë miratuar procedurat në përcaktimin e formulës së privatizimit, si dhe rregullorja e shërbimit për ankesat në Ministrinë e Brendshme.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: