TIRANE- Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave qeveria ka vendosur të shpërblejë në fundvit disa kategori, ndryshe nga viti i kaluar.

Në mbledhjen e drejtuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi, pasi kryeministri Rama ndodhet në Beograd, është vendosur që të marrin shpërblim mësuesit e dalluar, fëmijët e policëve të rënë në detyrë, veteranët dhe pensionistët e vetmuar.

Po ashtu kategorisë së personave që do përfitojnë shpërblim i bashkohen edhe infermierët e doktorët e spitaleve si edhe drejtuesit në administratë që punuan shumë mirë.

Qeveria ka vendosur sot ndër të tjera, të trajtojë me kredi të lehtësuara për strehim familjet që banojnë në objektet e ish-Ndërmarrjes Shtetërore në rrugën “Siri Kodra”, Tiranë të cilat shpërngulen nga banesa për efekt të privatizimit të objektit nga pronari, të trajtohen me kredi të lehtësuar me interes 0%, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.

Ndër vendimet e tjera është ndryshimi në miratimin e afateve për skemën për ish të dënuarit politikë.

“6. Kësti pasardhës për të gjitha kategoritë përcaktohet me urdhër të ministrit të Financave, pas raportimit të drejtorisë përkatëse të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë.”.

“8. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministri i Financave, përpara mbylljes së vitit buxhetor, vlerësojnë procesin e realizimit të fondeve për të gjitha kategoritë dhe vendosin rialokimin e fondeve me urdhër të përbashkët.”.

Ndër të tjera qeveria vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Agjencia e zbatimit të projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për fondet IPA të Bashkimit Evropian për furnizimin me ujë të zonave rurale III, për një grant në shumën 9 803 922 (nëntë milionë e tetëqind e tre mijë e nëntëqind e njëzet e dy) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ndër vendimet ishte edhe miratimi, në parim, i marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Agjencia e zbatimit të projektit”, dhe KfË, Frankfurt am Main, “KfW”, për masat shoqëruese për furnizimin me ujë të zonave rurale III, për një grant në shumën 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Një vendim tjetër ishte edhe miratimi, në parim, i marrëveshjes së huasë dhe projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Huamarrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Agjencia e zbatimit të projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, ujësjellësi rural III, për një hua në shumën 24 000 000 (njëzet e katër milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Po ashtu është miratuar, në parim, i marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2011, për masën shoqëruese të projektit “Program për sektorin e ujit/ Program për furnizimin e zonave rurale me ujë III”, me një grant në shumën 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Po ashtu qeveria ka miratuar, në parim, ndryshimin nr.4, të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Një tjetër vendim ishte edhe miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2011, për projektin “Program në sektorin e ujit/ program për furnizimin e zonave rurale me ujë III”, me një hua në shumën 24 000 000 (njëzet e katër mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Një tjetër vendim ishte edhe krijimi i Arkivit Shtetëror të sistemit gjyqësor, pranë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe lirimi nga detyra i zv.ministres së Mjedisit. “Znj. Diana Bejko, zëvendësministër i Mjedisit, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: