Qeveria ka vendosur të jap me qira tek privati pikën turistike të Syrit të Kaltër në Delvinë në vlerën e 72 mijë lekëve apo 600 eurove në muaj. Në buletinin e datës 21 tetor në faqen e prokurimeve publike ministria e Financave ka paraqitur njoftimin për dhënien me qira të kësaj pasurie shtetërore, shoqërisë “Albturist T.O”. Kësaj kompanie do t’i jepet në administrim për 10 vjet pasuria publike me emërtimin “Kabina Druri, 5 copë”, me sipërfaqe totale 470 m2 , nga të cilat 220 m2 nën objekt dhe 250 m2 sipërfaqe funksionale.

Sipas njoftimit të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhënia me qira e një prej pikave më të bukura turistike në vend bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për ushtrimin e një veprimtarie ekonomike e cila të gjenerojë të ardhura dhe punësimin e banorëve të zonës. Në kriteret e qiradhënies të vendosura nga Shoqëria“Albturist T.O” sha, në cilësinë e njësisë administruese të pronës, thuhet se objekti mund të jepet me qira vetëm duke ruajtur destinacionin e tij fillestar, që është, ushtrimi i veprimtarisë turistike në fushën e akomodimit turistik.

Gjatë sezonit veror Syri i kaltër vizitohet mesatarisht nga 2000 turistë në ditë pavarësisht problematikave që shfaq rruga për në hyrje të këtij parku. Pak kohë më parë dy turistë të huaj pësuan lëndime nga rrëshqitja e një masivi shkëmbor duke e detyruar ministrinë e turizmit ta mbyllë përkohësisht syrin e kaltër për vizitorët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb