Analisti Agim Baçi në rubrikën “Opinion” në News24 duke folur për vendimin e Gjykatës së Apelit që e dënoi deputetin Ervin Salianji me 1 vit burg me akuzën e “Kallëzimit të Rremë” publik, tha se i gjithë procesi ka qenë nën diktatin e Kryeministrit, referuar qëndrimit që ai mbajti menjëherë pas denoncimit publik.
Baçi tha se i gjithë procesi ndaj Salianjit ishte i paragjykuar.

“Deputeti i PD bëri një deklaratë publike, po sa denoncime publike janë bërë nga deputetë apo zyrtarë të tjerë të opozitës ndaj ministrave apo edhe Kryeministrit, pse nuk kanë nisur hetimet dhe ata të përfundojnë në Gjykatë? Duket si një lojë me dy standarde”, tha Baçi.

Analisti tha se mazhoranca mund t’i bjerë shkurt në rastin e deputetit Salianji dhe të shmanget çdo procedurë tjetër.

“Kemi rastin kur Kryetarja e Kuvendit i drejtohet Komisionit të Venecias lidhur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, atëherë a do t’i drejtohet sërisht Venecias lidhur me rastin e Salianjit?

Kemi një vendim të formës së prerë, i detyruar për tu zbatuar, por kemi precedentë që ka krijuar, duke përfshirë edhe reagimin e shpejtë të Kryeministrit Edi Rama”, tha Baçi.

Ai tha se Kryeministri i takon të gjithë shqiptarëve dhe nuk mund të flasë me një gjuhë të ashpër.

“Referojuni reagimeve të Edi Ramës ndaj Gazment Bardhit, pse duhet të ketë reagime seksiste dhe bullizuese”, tha Baçi.

I pyetur se si do të ndikojë ky vendim i Apelit, analisti tha se duhen parë pasojat politike, Salianji u shfaq i qetë, tha se ky vendim nuk do e pengojë, por duhet parë realisht. Në këtë kuadër, Baçi tha se opozita nuk e ka luksin që krahas problemeve të z. Berisha me drejtësinë të ketë edhe personazhe të tjera të saj të dënuar, qoftë edhe si akuza në rastin e Salianjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb