Avokati Ledio Braho në rubrikën “Opinion” në News24 duke komentuar vendimin e Gjykatës së Apeli, që dënon me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji, e cilësoi si të paprecedentë dhe si një rrezik jo vetëm për demokracinë, por edhe për lirinë e shprehjes.

Braho tha se Salianji u dënua me 1 vit burg sepse bëri denoncim publik.

“Nisur nga ky vendim i Apelit kemi një situatë alarmante pasi çdo denoncim publik, mund të përfundojë në burg, si në rastin e deputetit Salianji. Kushdo që bën një denoncim publik dhe Prokuroria nis hetimet, dhe nuk rezulton që të merret dikush nën hetim, atëherë merret nën akuzën e kallëzimit të rremë ai që bën denoncimin”, tha Braho.

Avokati tha se deputeti Salianji është dënuar për kallëzim të rremë kur nuk ka asnjë kallëzim të depozituar, ndërkohë që edhe në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë thuhet se dënimi bëhet për denoncim publik.

“Nuk kemi asnjë rast që kallëzuesi i rremë të jetë dënuar me burg. Mund të jetë rasti i vetëm që një person dënohet me burg për një kallëzim të rremë. Salianji u shpall fajtor pa asnjë provë, u shpall fajtor me një dëshmitar aktor i shpikur nga Kryeministri, i cili edhe në sallën e gjyqit e mohoi që të kishte dijeni lidhur me audio-përgjimin”, tha Braho.

Avokati tha se fillimisht duhet të konstatohet përfundimi i mandatit të deputetit dhe më pas duhet të vazhdohet me zbatimin e vendimit të Apelit.
“Prokurori lëshon një urdhër ekzekutimi për vendimin e Gjykatës së Apelit. Ne do të ndjekim të gjithë hapat proceduriale”, tha Braho, duke shpjeguar se si veprohet për sa i takon zbatimit të vendimit të gjykatës.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb