Në emisionin Open në News24 është diskutuar mbi vendimin e fundit të GJKKO-së, që i hoqi masën e sigurisë kreut demokrat, Sali Berisha. SPAK ka njoftuar se do të ankimojë vendimin, ndërsa Berisha pas pothuajse 1 viti ka lënë banesën ku ndodhej në “arrest shtëpie” prej dhjetorit të 2023-it.
Çlirim Gjata, anëtar i Kryesisë së PD-së, tha se gjyqtarja vendosi heqjen e masës së sigurisë dhe kjo tregon se nuk ka asnjë provë.
“Fakti që sot Sali Berisha nuk ka asnjë masë sigurie, kjo tregon se nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm, se prova nuk ka pasur. Në kushte të tilla duhet të bjerë akuza sepse nuk ka as dyshim të arsyeshëm”, tha Gjata.
Ai tha se SPAK tregoi se i shërbeu Kryeministrit më shumë se ç’duhet dhe sot Gjykata me vendimin e marrë tregoi se Prokuroria nuk ka as dyshime të arsyeshme lidhur me çështjen për të cilën po hetohet kreu demokrat.
Gjata tha se te ky vendim ka ndikuar vendimi i Strasburgut që afroi datën për të shqyrtuar çështjen. “Janë raste të rralla që Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut të vendosë një gjykim të shpejtë. Atëherë çfarë bëri Gjykata? Tha se të na diskretitojë Strasburg, më mirë ta marrim ne shpejt një vendim dhe ta nxjerrim nga arresti”, tha Gjata.