Nga Xhafzatoj, ku iu përgjigj interesit të gazetarëve për cështje të aktualitetit politik, Presidenti Ilir Meta komentoi vendimin e gjykatës së Durrësit, e cila një ditë më parë refuzoi t’i japë mandatin Valbona Sakos për të drejtuar bashkinë e Durrësit.

“Çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është demonstrim i rrëmujehanës që zhvillohet. Mungesë e respektit për Kushtetutën, keqzbatimi i qëllimshëm dhe i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese që u realizuan tri vete më parë. Me një qarkore u shpall inegzistent dekreti i Presidenti dhe u mblodh organizata socialiste në KQZ dhe u bë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor, dhe u bë rrëzimi i kërkesës së zotit, Idajet si rrëzimi i dekretit të Presidentit”, tha Meta ndërsa komentoi edhe komisionin hetimor parlamentar të ngritur nga maxhoranca për shkarkimin e tij.

“S’kam asnjë shqetësim për asnjë komision hetimor, asnjë gjykatë, në Shqipëri apo në çdo institucion tjetër që ka juridiksion në Shqipëri. I vetmi shqetësim i imi është data 19 tetor. Çfarë do u themi shqiptarëve? Çfarë do u themi që e kishte fajin Edi apo fajin Luli dhe Mona. Çfarë do u themi që na gënjyen disa europian apo kështu na thënë disa amerikanë.” -u shpreh Meta.

Para 20 vjetësh Shqipëria ishte para Kroacisë. Ku është Kroacia sot? Ku është Shqipëria? Shqiptarët po ikin sikur të ishte viti ’90. Kush do mbajë përgjegjësi?! Jam shumë fleksibël për të ndryshuar datën 13 tetor, me që është perceptuar si ditë tersi. Por nuk kam në dorë të ndryshoj dot 18 tetorin. Kemi fut mik të fortë për të shtyrë provimin në vjeshtë, por s’çelen negociatat me qoka ndërkombëtarë”.

Pjese nga prononcimi per mediat:

Pyetje: Një ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka rrëzuar mandatimin e zonjës Sako për kryetare të Bashkisë. Cili është komenti juaj dhe a i bën nul ky  vendim i gjykatës së Durrësit çdo rezultat të zgjedhjeve ku ka pasur përfaqësues të “Bindjes Demokratike”?

Presidenti Meta: Çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është një pasqyrim i rrëmujhanes ligjore, që për fat të keq vazhdon në vendin e në shtetin tonë.

Ky është rezultat i mungesës së respektit për Kushtetutën, i keqzbatimit të qëllimshëm e të njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese që u arritën me konsensus unanim tri vite më parë. Kjo gjë u demonstrua shumë qartë që në momentin kur me një qarkore Kuvendi u shpall gjoja inekzistent dekreti i Presidentit dhe u udhëzua organizata socialiste në KQZ, por edhe u ushtrua trysni mbi Kolegjin Zgjedhor që të interpretonte rrëzimin e kërkesës së zotit Idajet Beqiri si rrëzim i dekretit të Presidentit.

Duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët shqiptarë se nuk ka pasur zgjedhje të qytetarëve shqiptarë, zgjedhje shtetërore, zgjedhje kushtetuese, zgjedhje ligjore më 30 qershor. Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë, çdo shqiptar e çdo ndërkombëtar se gomari fluturon!

Ne mund t’i themi se kjo mund të ndodhë në art, mund të ndodhë në ëndërr e mund të ndodhë në piktura, por ne e dimë që gomari, të paktën këtu në Shqipëri nuk është shqiponjë që të fluturojë!

Kështu që të gjitha këto manovra, këto përpjekje e manipulime, të gjithë këto qoka, përfshirë edhe qokat ndërkombëtare, shkojnë kundër standardeve ndërkombëtare, të cilat Shqipëria është e detyruar t’i plotësojë, sidomos përsa u takon zgjedhjeve të lira e të drejta dhe sundimit të ligjit, që janë një standard i panegociueshëm për të marrë provimin e vjeshtës.

Duhet të përfitojmë nga momenti mjaft pozitiv që ka arritur Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Prespës, dhe jo të dëmtojmë edhe shanset e tyre apo t’i  shantazhojmë të tjerët, pasi për ne ka shumë rëndësi që Shqipëria të çelë negociatat, por ka shumë rëndësi që edhe Maqedonia e Veriut t’i çelë këto negociata. Jo vetëm për shkak të fqinjësisë mjaf të rëndësishme. Jo vetëm për shkak të lidershipit të shkëlqyer që ka treguar si  Kryeministrit Zaev, ashtu edhe Presidenti Pendarovski, por edhe për shkak të shqiptarëve që kemi në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë qenë një faktor i jashtëzakonshëm për integrimin europian të atij vendi, por edhe për anëtarësimin e tij në NATO dhe të cilët presin një mesazh pozitiv, edhe për Maqedoninë e Veriut pasi edhe ata nuk dëshirojnë të largohen nga ai vend. Përkundrazi, duan ta realizojnë të ardhmen si qytetarë europiane të ardhmen, edhe ata, në vendin e tyre dhe pranë familjeve të tyre.

Pyetje: Ndërkohë që është një Komision parlamentar Hetimor që po heton për shkarkimin tuaj. Jeni ftuar për një dëgjesë. Do të bëheni pjesë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë shqetësim për asnjë komision hetimor parlamentar në Shqipëri! Për asgjë gjykatë dhe asnjë institucion drejtësie që të gjykojë veprimet e mia në Shqipëri apo çdo institucion që ka juridiksion mbi Republikën e Shqipërisë! Fare! Fare!

I vetmi shqetësim i imi është data 19 tetor.

Çfarë do t’u themi shqiptarëve?! Do t’u themi që e kishte fajin Edi Rama?

Do t’u themi që e kishte fajin Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi?

Nuk i fshihemi dot përgjegjësisë përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Le të mos harrojmë që njëzet vite më parë Shqipëria ishte përpara Kroacisë përsa i takon procesit të integrimit europian! Ku është Kroacia sot e ku është Shqipëria sot?! Në rast se edhe Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në tetor, atëherë ku janë perspektivat europiane të të rinjve e të rejave të Shqipërisë, të cilët për fat të keq po largohen sikur të ishte ende viti 1990!

Pyetje: Zoti President, cili është propozimi juaj për zgjidhjen e krizës?

Presidenti Meta: Unë jam fleksibël për ta parë çështjen e 13 tetorit, meqenëse mund të ketë krijuar ndjenjën e tersit te dikush. Për mua nuk ka rëndësi. Për mua ka rëndësi 17-18 tetori. Atë nuk kam fuqi as unë dhe asnjeri që ta ndryshojë, sepse atë e ka Bashkimi Europian.

E theksoj edhe njëherë: Kemi futur mik të fortë për ta shtyrë provimin nga qershori që të na japin mundësi për të kaluar në vjeshtë.

Nuk e kalojmë dot këtë provim pa bërë zgjedhje gjithëpërfshirëse, të standardeve demokratike.

Kjo është një gjë që nuk kalohet dot!

Nuk arrihet çelja e negociatave të anëtarësimit me qoka ndërkombëtare! Vetëm me standarde ndërkombëtare! Me standarde europiane! Ata, të cilët na e duan të mirën, na e kanë thënë hapur dhe të paktën unë, Edi Rama dhe Lulzim Basha këtë gjë e dimë shumë mirë!

Ata si të dëshirojnë! Dëshirojnë ndonjë zgjidhje? Janë të mirëpritur në Presidencë në çdo moment! Unë do të mbaj gjithmonë qëndrimin më të ndershëm, më të drejtë e më parimor! Duan ta zgjidhin diku  tjetër? Ata e dinë që është një adresë serioze ku mund të shkojnë, ta diskutojnë, ta zgjidhin këtë çështje dhe unë po u jap mbështetjen maksimale. Duan të bëjnë ping-pongun e përgjegjësisë e të fajit? Dakord! 19 tetori do të vijë. Është i pashmangshëm.

Pyetje: Nga takimi që keni pasur me kryedemokratin Basha, a e keni bindur atë që 13 tetori do të jetë…?

Presidenti Meta: Unë u jap mendimet e mia të gjithëve. Nuk i imponohem askujt në vendimet e tij. Në momentin që shkohet në zgjedhje të ligjshme, është detyra ime të kërkoj që qeveria të japë një garanci, – sepse ajo duhet ta japë gjithmonë garancinë që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme, – ashtu sikurse opozita të jetë e përgjegjshme për të marrë pjesë në këto procese demokratike.

Në rast se opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita fjala vjen Partia Demokratike, LSI-ja, disa parti të tjera, atëherë jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të tjera politike, të cilat të paktën të kenë kandidatë në të gjithë Shqipërinë e të regjistrohen në kohë.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb