TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu ka reaguar pas vendimit të gjykatës për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në një prononcim për gazetaren Marsela Karapanço për News24 dhe “BalkanWeb”, ambasadori amerikan shprehet se vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata. Por ambasadori flet edhe për arrestimin e Met Kananit dhe Arbër Çekaj, duke i parë keto raste si shenjë të faktit se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata. Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend.
Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda”, deklaron ambasadori Lu për News24 dhe “BalkanWeb”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb