Kreu republikan Fatmir Mediu tha në rubrikën “Opinion” në News24 se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa nuk është kryer një reformë e plotë zgjedhore, për të implementuar edhe rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtare, si dhe OSBE/ODIHR.

Mediu tha se Edi Rama nuk ka 51%, por ka mbi 51% të vendeve në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa theksoi se ai ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, duke shkelur rregullat e lojës për zgjedhjet.

Mediu tha se rihapja e Gërdecit është e paligjshme, duke kujtuar se ai është gjykuar njëherë në Gjykatën e Lartë.

“Po bëhet një gjykim i cunguar, kam kërkuar që të merren dëshmitarë që nga ish-Sekretari i Mbrojtjes së SHBA dhe nuk janë pranuar. Është proces politik me qëllim të qartë: zvogëlimi dhe izolimi i opozitës”, tha Mediu.

Ai tha se vendimet po merren si në kohën e Partisë së Punës, ku s’kishte nevojë të provohej nëse ishte fajtor ose jo, por mjaftonin thirrjet: tradhëtari në litar.

Në këtë kuadër, Mediu u shpreh se e kaluara po përsëritet në mënyrën më të keqe të mundshme.

Referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ish-Kryeministrin Sali Berisha, Mediu tha se “ne jemi Republikë Parlamentare jo Republikë Spak-ore e Kryeministrore”.

“Kushtetuesja duhet të thellohet, sepse kemi një fakt, anashkalimin e rolit të Parlamentit. Tani ky vendim i dhënë nga Kushtetuesjja mund të përdoret si precedent për veprime të tjera të paligjshme. Drejtësia nuk mund të veprojë në mënyrë selektive. Kjo është drejtësia e Edi Ramës, por duhet ta shikojnë partnerët tanë, që e mbrojnë këtë reformë në drejtësi. Duhet parë në aspektin si pasojë e kësaj reforme është ulur korrupsioni apo krimi në Shqipëri? Dhe raportet janë të shumta që tregojnë se nuk kemi ulje, por përkundrazi”, tha Mediu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb