TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili e cilëson dekretin e Presidentit të Republikës si më patriotikun dhe pro atdhe të firmosur ndonjëherë.

Në një postim në “Facebook”, Vasili shkruan se ky dekret është refuzimi kushtetues i monizmit rilindas dhe përgjigja më e fortë kundër përçarjes kombëtare.

POSTIMI I VASILIT
Dekret pro atdheut dhe kundër monizmit dhe përçarjes kombëtare!!
Dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve ishte refuzimi kushtetues dhe pa kthim i monizmit rilindas.
Një monizëm me krimin e organizuar në themel të tij, monizëm bazuar në zhdukjen e zgjedhjeve konkurruese, të lira dhe të ndershme, monizëm me një infrastrukturë imoraliteti që zhbën gjithçka që një shoqëri demokratike ka në themel.
Monizmi rilindas ku thjesht votohet por nuk ka zgjedhje, ku batutat vulgare zëvendësojnë programet dhe llogaridhënien, ku ligji është në favor të rilindjes dhe kundër qytetarëve, ku skandali qindra milionë euro është shumë më i parëndësishëm se sa mur shtëpie i riparuar pa leje e gjithë kjo është ndaluar në sajë të dekretit patriotik të presidentit.
Dekreti ishte përgjigjja më e fortë kundër përçarjes kombëtare.
Nga njëra anë është një popull i tërë që refuzon rreptë monizmin ndërsa nga ana tjetër është një grusht njerëzish që kanë zaptuar zyrat e qeverisë në emër të një pakicë që kërkon të gjallojë dhe vegjetojë duke ushqyer përçarjen kombëtare.
Përçarja kombëtare është realisht i vetmi projekt i Edi Ramës.
Vënia e shqiptarëve kundër njërit-tjetrit në vend të bashkimit të tyre, loja propagandistike e rilindjes me gjoja dhunë imagjinare në vend të zgjidhjes politike, stigmatizimi provokativ e vulgar i një mase gjigande njerëzish, që protestojnë për lirinë e votës e të konkurrimit të ndershëm janë elementë të qartë të strategjisë së përçarjes kombëtare në emër të mbajtjes së pushtetit të kriminalizuar, por edhe në emër të forcave me të errëta antishqiptare brenda e jashtë vendit.
Shqiptarët janë të bashkuar, janë dhe do të jenë përjetësisht të papajtueshëm me pushtetin grabitqar dhe vjedhjes së parave publike, me pushtetin që ju imponon kriminelët si drejtues të shtetit.
Kryeministri dhe qeverisja e rilindjes me projektin e përçarjes kombëtare të cilin synoi ta eksportonte edhe në Kosove ka dëmtuar si askush në këto 100 vitet e fundit Shqipërinë.
Dekreti ishte pikërisht asgjësimi i projektit të monizmit dhe përçarjes kombëtare rilindase.
Ishte dhe do të mbetet shumë gjatë në memorie si Dekreti me patriotik dhe pro atdhe i firmosur ndonjëherë.

Vasili Fb
Vasili Fb

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb