Merret një tjetër vendim nga Ministria e Shëndetësisë për të kthyer në karantinën e dytë të COVID- 19 në Shqipëri, edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, pas spitalit Infektiv te QSUT.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtoresha e ISHP-se, Silva Bino, e cila tha gjithashtu se në këtë spital ka dy raste të reja në radhët e personelit shëndetësor të prekur nga koronavirusi.

Prandaj, sic shtoi ajo, do të merren masa që stafi i prekur dhe i karantinuar tashmë të zëvendësohen me vullnetarë.

“Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar. Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infetiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren”,- tha Bino.

Ajo shtoi: “Dua të bëj një apel për mjekët të zbatojnë me kujdes masat mbrojtëse për parandalimin e infeksionit. Në lidhje me testimet, dua të them që të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto momente. Ju lutemi mos shkoni menjëherë në spital!
Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes! Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi”.

Kujtojmë se deri më sot janë 55 në total të prekurit nga koronavirusi në vendin tonë. Numri më i lartë është në Tiranë, me 38 raste.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb