NGA: Voltiza Duro
Prej 1 korrikut të këtij viti, ushtarakët në lirim do të përfitojnë rritje pensioni. Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, do të bëhet indeksimi në masën 2.8% i pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji.

“Këshilli i Ministrave vendosi indeksimin, në masën 2.8 për qind, të: pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”; trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension””,-theksohet në vendim. Gjithashtu, në këtë të fundit bëhet me dije se nga kjo rritje do të preken edhe trajtimet e veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”.

Ndërkohë indeksimin, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30.6.2018, përfshirë edhe këtë datë. “Shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.7.2018 e në vazhdim të jetë 7 262 lekë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 1 545 000 000 lekë dhe përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2018″,-nënvizohet më tej në vendim.

Kriteret
Sipas ligjit, ka disa lloj përfitimesh që administrohen nga ISSH-ja, e respektivisht bëhet fjalë për: pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi; pensionin suplementar të pleqërisë; pensionin suplementar të invaliditetit; si dhe për atë familjar. Kështu për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, burrat duhet të kenë mbushur moshën 47 vjeç e të kenë jo më pak se 15 vite pune, ndërsa gratë duhet të jenë mbi 42 vjeç e të kenë jo më pak se 12 vite shërbimi. Ndërkohë mund të përfitojnë pension suplementar pleqërie të gjitha kategoritë e sipërpërmendura, dhe pension suplementar invaliditeti po këto kategori që janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas Ligjit nr. 4171, “Për sigurimet shoqërore të RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në RSH”. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se kur personat e familjes në ngarkim të personave të sipërpërmendur dhe familjet e ushtarakëve që humbasin jetën në krye të detyrës e përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit kanë gjithashtu të drejtën e marrjes së pensionit suplementar familjar.
Lajmin e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2018/06/26/vendimi-rritja-e-pensioneve-sa-te-perfitojne-ushtaraket/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb