NGA: DARINA TANUSHI*TIRANE- Qeveria “shpërblen” me 1 milion lekë të vjetra çdo muaj rreth 136 nëpunës që do të merren me procesin e integrimit në administratën publike. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë vendimin e qeverisë, miratuar në mbledhjen e datës 7 korrik, i cili përcakton kategoritë e punonjësve të administratës publike, që veç pagës së tyre mujore, do të marrin që prej datës 1 shtator 2015 edhe një ‘shtesë’ në masën 100 mijë lekë të reja.

Së bashku me pagën mujore, super-rroga e këtyre nëpunësve shkon edhe më e lartë se sa e vetë ministres së Integrimit apo ministrave të tjerë. Por, burimet e “GSH” bëjnë të ditur se qëllimi është që të afrohen në këtë proces (përafrim legjislacioni) njerëz të aftë, të rinj të shkolluar jashtë vendit, që kanë njohuri të integrimit evropian. Vendimi i marrë në dt. 7 korrik është mbajtur i fshehtë dhe nuk është publikuar bashkë me vendimet e tjera në sajtin zyrtar të kryeministrisë.

APLIKIMI
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2015 do të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion. Ai fillon zbatimin më 1 shtator 2015. Në vendim bie në sy se: shtesa e pagës prej 100 mijë lekësh të reja duhet të miratohet nga DAP-i dhe drejtori i Legjislacionit në kryeministri, ndërkohë që vetë ky i fundit figuron në listën e përfituesve të shtesës.

1 milion lekë të vjetra apo 100 mijë të reja në muaj është një pagë tepër e lartë për një nëpunës të administratës publike shqiptare në ditët e sotme. Por, sipas asaj që është sqaruar nga qeveria, këtu bëhet fjalë për nëpunës që do të jenë pjesë e rrjetit të njësive të integrimit evropian dhe rrjetit të njësive të hartimit të legjislacionit. Këto struktura do të jenë garantet për qasjen që do të ndjekë Shqipëria në hapat e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian. Dhënia e një mase të tillë shpërblimi, sipas burimeve nga qeveria, bëhet në mënyrë që të sigurohet një nivel sa më i lartë profesional i specialistëve që do të angazhohen pranë këtij rrjeti.

PERFITUESIT
Në vendimin e qeverisë thuhet se: “Nëpunësit në njësitë e integrimit evropian dhe ata të menaxhimit të fondeve IPA në ministritë e linjës, nëpunësit e ngarkuar me përafrimin e legjislacionit dhe programimin e monitorimin e asistencës së BE-së në Ministrinë e Integrimit Evropian, nëpunësit e ngarkuar me hartimin e legjislacionit në ministritë e linjës, nëpunësit në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, drejtori i Departamentit të Legjislacionit në Kryeministri, nëpunësit e ngarkuar me hartimin e legjislacionit në njësinë e legjislacionit dhe akteve të Këshillit të Ministrave në Kryeministri, nëpunësit, të cilët janë ngarkuar me integrimin dhe hartimin e akteve ligjore e nënligjore (jo më shumë se 3 nëpunës) në Departamentin e Administratës Publike përfitojnë bonus në masën 100.000 lekë në muaj.

“Zbatimi i kësaj shtese për nëpunësit e sipërpërmendur, shkruhet më tej në vendim – bëhet sipas përshkrimit të pozicionit të punës dhe pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe të drejtorit të Departamentit të Legjislacionit në Kryeministri, për nëpunësit e ngarkuar me hartimin e legjislacionit dhe të Ministrisë së Integrimit Evropian, për nëpunësit në njësitë e integrimit evropian dhe të menaxhimit të fondeve IPA në ministritë e linjës”, thuhet në vendim. Në rastet për nëpunësit e sipërcituar parashikohen në këtë vendim shtesa të tjera për kushte pune. Këta nëpunës zgjedhin ndërmjet dy shtesave, por në asnjë rast nuk mund t’i përfitojnë të dyja shtesat”, përcaktohet në vendim.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: