Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se qeveria ishte e informuar se Këshilli Evropian do të merrte vendim negativ për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për mos hapjen e negociatave.

“Ishte një mungesë-vendimi, më shumë se një vendim negativ. Një diskutim, që pa diskutim që ne ishim të informuar. Ka kohë që diskutohet në BE strategjia që Këshilli duhet të ndjekë për zgjerim. Nga gjithë këto diskutime, vlen të përmendet mbështetja e jashtëzakonshme që ka marrë Shqipëria, reagimi i DASH, deklaratat e Donald Tusk, qëndrimi i Angela Merkel dhe të gjithë atyre që kanë punuar ngushtësisht me Shqipërinë. Keqardhje që Këshilli nuk arriti të kishte unanimitet”, u shpreh ministrja.

Sa i takon qëndrimit të Francës, Spiropali deklaroi se Presidenti Emmanuel Macron është kthyer në një pengesë të vërtetë në raport me vijimin e procesit e zgjerimit në BE, duke shtuar se ai nuk ka problem me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por me vetë BE-në. Sipas ministres, deklaratat e ashpra mes zyrtarëve të lartë të BE tregojnë për një konflikt të madh brenda vendeve anëtare të Evropës.

“Një president francez që ka vizionin e tij për zgjerimin, i cili është kthyer në një pengesë të vërtetë në raport me vijimin e procesit të zgjerimit në BE. Ai nuk ka një problem me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por një problem me BE dhe deklaratat e ashpra tregojnë për një konflikt të madh brenda vendeve anëtare. Pritet që Franca dhe Macron të paraqesë vizionin e tij mbi BE dhe si të bëhet e mundur përfshirja e këtyre vendeve. Ajo për të cilën vërtet të vjen keq janë deklaratat e papërgjegjshme të disa deklaratave të shqiptarëve, përfaqësuesve politikë, që duket sikur mezi kanë pritur që Shqipërisë t’i jepet një “JO”. Pra në një krah kemi Presidentin e KE, Tusk, që thotë se faji nuk është i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe se këto vende i kanë bërë detyrat, dhe nga ana tjetër, politikanë si Basha, Berisha, Kryemadhi, etj, të cilët gati publikisht falënderojnë Macron. Nëse presidenti i Francës mund të kuptohet për qëndrimin e tij, nuk kuptohet se pse këta individë që janë përfaqësues të popullit shqiptar, janë në një mendje me të”, tha Spiropali.

Kryeministri drejton gishtin tek opozita, që ka bërë regres për shkak të situatës që ka krijuar …
Ne nuk merremi me fajësime. Për ne ka qenë e qartë që ky nuk është një proces i lehtë. Ne s’kemi thënë që kemi në dorë vendimin e Francës. Unë po flas për reagimin e krerëve të opozitës shqiptare, që janë gati në ngazëllim, pas vendimit. Kjo është e pashpjegueshme për ne dhe shqiptarët. Duhet të ishin në solidaritet të plotë me faktin se ne meritojmë çeljen e negociatave dhe të ishin pro zgjerimit. Pra, nuk përputhen interesat tona me interesat e Francës. Macron është kthyer në problemin më të madh brenda BE. Edhe vetë Kukan tha se Macron është një sabotator. Të mos flasim pastaj për deklaratat e zyrtarëve të tjerë të BE, që thonë se Shqipëria i ka plotësuar detyrat.

Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme, si e shihni qëndrimin dhe faktin që hiqet një paralele mes tij dhe Ramës?
Paralelen dihet kush e heqin. Në raport me krahasimin mes dy vendeve nuk mund të hiqet një paralele në asnjë kuptim, sepse Maqedonia e Veriut ka kaluar përmes një procesi të tërë ndryshimesh, që përfshin referendumin për ndryshimin e emrit, etj. Dhe këtë referendum qeveria e ka kërkuar duke u mbështetur te premtimi që kishte marrë për integrim. Papritur, Macron del kundër. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut ka 15 vite që e ka marrë statusin dhe kërkon çeljen e negociatave, ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. Zaev është në pozicion shumë të vështirë me elektoratin dhe i duhet patjetër të gjejë një zgjidhje. Nuk jemi në të njëjtat kushte ne. Patjetër që kemi detyrimet tona dhe do t’i kryejmë me përgjegjshmërinë më të madhe. Do vijojmë me Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore, pra ne nuk do t’i lëmë asgjë mangut këtij procesi, pasi këto gjëra lidhen me shqiptarët. Krahasime politike në këtë mes nuk ka. Ne nuk kemi pas një opozitë, që ka mbështetur procesin e integrimit dhe këtë mund ta themi troç e shqip. Ne kemi gati një vit që jemi në absurditet politik, ku opozita ka djegur mandatet, ka dalë në rrugë, ka kryer protesta të dhunshme, etj.

Ne dëgjojmë shpesh të thuhet se “ne i kemi kryer detyrat e shtëpisë”, si janë kryer ato?
Kur them që janë kryer detyrat, kam parasysh notën në fund. Këtë e thonë raportet objektive të Këshillit Evropian. Kemi marrë notë më shumë se kaluese. Ne nuk do të kishim deri në dyert e Këshillit, nëse nuk do t’i kishim plotësuar të gjitha kushtet. Ky është një proces që varet nga merita e secilit vend. Fakti që kaluam dhe detyrën më të rëndë, bindjen e Bundestagut, të jeni të sigurt që Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Në dyert e Evropës sot janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për t’u diskutuar. Kemi shumë shpresë, që do gjejmë një zgjidhje për negociatat.

Thoni që opozita është munduar të bëjë penguesen, nga ana tjetër ka dhe një reagim opozitar për rikthimin e protestave, si i prisni këto protesta?
Jemi mësuar me këto protesta dhe çuditemi se si opozita në rrugë nuk ka mundur të bëjë një kthesë serioze. I kanë tentuar të gjitha format e protestave, por kanë dështuar. Besoj se rruga e opozitës duhet të ishte kthimi në rrugën e arsyes dhe sistemit. Ne nuk kemi asnjë frikë nga strategjia e opozitës. Shpresojmë që në zgjedhjet e 2021, që janë shumë pranë, opozita të marrë pjesë, të fillojë të organizohet që tani dhe ne të shkojmë në zgjedhje me PD, me LSI dhe partitë e tjera.

Mbledhja e Kryesisë së PS, raporti burra-gra …
Gratë e Kryesisë dhe ato deputete e ministre kanë paraqitur propozimin e tyre për bashkëkryesimin në raportin një burrë dhe një grua. Aktualisht ne jemi shumë krenarë për barazinë gjinore. Kemi 30% gra deputete, barazi në këshillat bashkiakë, asamble e Kryesi. PS merr një numër shumë të lartë votash nga gratë, është një prirje që gratë të votojnë më shumë PS. Ndaj, duam që “padrejtësinë” e organizmit brenda PS ta adresojmë për ta bërë barazinë gjinore një normë të qeverisjes së PS, edhe në fshatin më të largët.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb