TIRANË- Pas 2 javësh protestë të opozitës duket se maxhoranca ka marrë më në fund një vendim. Burime zyrtare nga maxhoranca thonë se koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën.

Për të dalë në një qëndrim të maxhorancës sot pati një takim të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta por edhe përfaqësuesve të tjerë të maxhorancës.

DEKLARATA ZYRTARE
Tryeza javore e koalicionit qeverisës diskutoi sot mbi axhendën e reformave dhe qëndrimin e opozitës parlamentare. Në fokus të takimit ishin Reforma në Drejtësi, procesi i Vettingut si hap i parë në zbatimin e saj, si edhe Reforma Zgjedhore dhe domosdoshmëria për një proces zgjedhor me besueshmëri të lartë e transparencë të plotë.

Koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërinë e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor. Liderët e koalicionit shprehen gatishmërinë për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: