TIRANË

Ministria e Drejtësisë e cilëson një skandal të papranueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin.

Në një deklaratë për mediat ministrja Etilda Gjonaj tha se do qeveria nuk synon kontrollin e drejtësisë por se në këto raste nuk mund të rrijë pa reaguar. Ajo paralajmëroi masa ndaj gjyqtarëve dhe tha se do t’i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Sipas Gjonaj, vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar ‘për uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me kodin e procedurës penale’.

DEKLARATA E PLOTË
Përshëndetje, jam sot para jush në këtë deklaratë për shtyp për një rast të paprecedentë dhe shokues të ndodhur në vendimmarrjen e drejtësisë shqiptare dy ditë më përpara lidhur me çështjen ‘Dajti’. Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar për uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me kodin e procedurës penale.

Prej 48 orëve kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të papranueshëm të përmasave të tilla të patolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin tërësisht në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve. Duke ndarë me publikun revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente të drejtësisë ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut dua t’ju siguroj të gjithëve që jo vetëm nuk mund të pajtohemi kurrë me faktin e kryer në këtë rast por do të ndjekim të gjitha hapat me të gjitha mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit, e mungesës totale të integritetit dhe profesionalizmit të disa gjyqtarëve të cilët nuk meritojnë asgjë tjetër përveç përbuzjes së çdo qytetari të ndershëm.

Vendimi është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal dhe rrezikon kështu të krijojë një precedent të rrezikshëm në dhënien e lirisë elementëve kriminalë.
Gjej rastin që ta rinënvizoj se qeveria dhe kjo shumicë qeverisëse as nuk e ka dhe as nuk synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë por në raste të tilla papërgjegjshmërie të drejtësisë së një vendi që aspiron për të hyrë në BE nuk mund të rri pa reaguar me të gjitha format ligjore. Fatkeqësisht, kjo drejtësi në reformim e sipër që hera-herës shfaq fytyrën e saj të vjetër të përbuzjes së vetë drejtësisë na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë. Por të gjithë duhet të kuptojmë se vetëm përfundimi i zbatimit të reformës në drejtësi, pastrimi nga radhët e drejtësisë të gjyqtarëve si ata që ulën dënimin e vrasësit të katër policëve është rruga për të ndaluar përgjithmonë këto vendime të paligjshme.

Ndërkohë gjej rastin të informoj se paralelisht me reformën në drejtësi ne do të përshpejtojmë reformën për rritjen e sigurisë në burgje si masa imediate kundër krimit të organizuar. Ku pas instalimit të monitorimit 24 orësh të seksioneve të sigurisë së lartë në burgje, instalimit të regjimit ‘41 Bis’ dhe paketës ligjore me ndryshime të kësaj natyre si pjesë e paketës antikrim do të miratohet së shpejti për forcimin e nivelit të sigurisë në sistemet penitenciare.

Ministria e Drejtësisë do t’i drejtohet KLGJ-së për të marrë masat e menjëhershme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve lidhur me këtë rast të paprecedentë të shkeljeve në kundërshtim me çdo standard të gjykimit të shkurtuar dhe procesit penal. Pasuria është një element i rëndësishëm për t’u vlerësuar në procesin e vettingut por mbi të gjitha i kërkoj KPK dhe ONM që në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të fokusohen në elementë të tillë që çdo gjyqtar ose prokuror me vendimmarrjen e tyre kanë mundësuar që grupet kriminale i shpëtojnë forcës së ligjit.
Mbështes prokurorinë në ankimimin në Gjykatën e Lartë me qëllim që parregullsitë e procesit në Apel të rivendosen në vend. Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie ku gjyqtarët dhe prokurorët me kurajë, përgjegjshmëri dhe në zbatim të ligjit të marrin vendime të drejta, të pandikuara nga asnjë lloj rrethane tjetër dhe të japin drejtësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb