TIRANE
Pas vendimit unanim nga grupi parlamentar i PD për djegien e mandatave të deputetit, kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar takim me aleatët për 60 minuta.
Në përfundim të takimit kryedemokrati Basha njoftoi se aleatët, ashtu si edhe deputetët e PD janë gati të djegin mandatet.
“Ky sot ishte takim pune, vendimi per djegien e mandateve është vendim i opozitës së bashkuar”, tha Basha
Fillimisht Basha zhvilloi takim rreth 60 minuta me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi në ambientet e selisë blu dhe me pas ka zhvilluar takim edhe me aleatët e vegjël të PD.
Basha zhvilloi takim me kreun e LZHK Dashamir Shehi, kreun e PBDNJ Vangjel Dule, kreun e PR Fatmir Mediu, kreun e PAA Agron Duka si dhe me kreun e PDK Nard Ndoka.
FATIMIR MEDIU: QËNDRIMI I PËRBASHKËT
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu tha se aleatët janë gati të djegin mandatet duke iu bindur kështu urdhrit të qytetarëve shqiptarë që protestuan e që nuk e duan më Ramën kryeministër.
Mediu: Ne kemi koalicion politik të hershëm, për këtë vendim kemi besimin e qytetarëve që na treguan se Rama nuk mund ta qeverisë më vendin. Dalim me një qëndrim të përbashkët, besoj që do jetë vendim unanim. Mendoj që është në të mirën e vendit, duhet qeverisje që i përgjigjet interesave të vendit, jo interesave klanore.
Dule: Opozita e bashkuar parlamentare është në kushtet e realizimit të misionit të saj, i cili nuk mbaron me djegien e mandateve të këtij parlamenti ilegjitim, i cili i jep fund qeverisjes ilegjitime të Ramës. Ky koalicion opozitar drejton popullin, mbështetet nga populli për të sjellë ditën e nesërme, një ditë ku do funksionojë demokracia funksionale. Misioni është i vështirë, i rëndë dhe kërkon mbështetjen sot më shumë se kurrë, jo të mbështetësve tradicionale, por edhe ata që janë të gënjyer nga Rama.
Ndoka: Qytetarët folën qartë, patën mbështetje maksimale për aksionin opozitar, por folën edhe për mandatin e kryeministrit. Ai duhet ta lexojë qartë protestën e qytetarëve. Rama është kapur duke vjedhur zgjedhjet. Është kapur në korrupsion duke vjedhur dhe besoj që është momenti i reflektimit nga zoti Rama jo vetëm për mandatin si deputet, por edhe si kryeministër. Axhenda e opozitës është e qartë. Nëse nuk lexon mesazhin e qytetarëve është detyra jonë ti tregojmë si të largohet.
Shehi: Sa kohë të jetë Rama aty do na shihni bashkë, ditën që do largohet, mund të shihni ndonjëgjë ndryshe. Ne ato mandate nuk është se na bëjnë ndonjë vlerë të madhe.
Duka: Jam për zgjedhje institucionale, por përderisa opozita e bashkuar ka marrë vendimin e djegë mandatet, tre mandatet tona do ti djegim.
(d.d/m.a/BalkanWeb)