Efektivët e Forcës Ajrore janë një nga kategoritë që përfitojnë trajtim shtesë financiar nga vendimi i fundit i miratuar nga qeveria.

Sipas këtij vendimi, trajtimi financiar rritet ndjeshëm për pilotët, personelin mirëmbajtës të pajisjeve të fluturimit, inxhinierët, teknikët, kontrollorët e trafikut ajror dhe personelin ushtarak aktiv të Detashmentit UAV (dronët), duke konfirmuar se kapitali njerëzor mbetet kryeprioritet.

Qindra efektivë të personelit fluturues dhe ushtarakë të tjerë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me personelin fluturues do të përfitojnë shtesë mbi pagën që varion sipas pozicioneve:

– kështu, për pilotët trajtimi financiar shtesë shkon nga 80.000 – 100.000 lekë në muaj;

– për teknikët e bordit kjo shtesë shkon në 45.000 lekë;

– ndërsa për inxhinierët e aviacionit dhe kontrollorët e trafikut ajror, shtesa është llogaritur në 40.000 lekë në muaj;

– ndërkaq, sa i përket pilotëve të Detashmentit të Mjeteve Ajrore pa Pilot, ata do të marrin një shtesë 45.000 lekë në muaj.

– po kaq është edhe trajtimi financiar që do të marrin operatorët e ngarkesës dhe shënjuesit.

Sipas vendimit të qeverisë, kjo kategori përfiton këtë trajtim financiar dinjitoz për shkak të misionit dhe detyrave që kryejnë, por edhe për të mbajtur brenda Forcave të Armatosura punonjësit e shkolluar dhe trajnuar në institucionet arsimore prestigjioze ndërkombëtare.

Investimi në kapacitete është një nga prioritetet e rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb