Prokuroria në çështjen kundër Vojisllav Sheshelit i ka kërkuar Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në vendimin e tij të ditës së mërkurë të rrëzojë vendimin e shkallës së parë që liroi nga akuzat kreun e Partisë Radikale Serbe, ta shpallë atë fajtor dhe ta dënojë atë me 28 vjet burg.

Si një alternativë për një vendim fajësie, prokurorët i kanë kërkuar gjykatësve të gjykatës së OKB-së të urdhërojnë një rigjykim të çështjes, duke pretenduar se nuk është bërë drejtësi për shkak të gabimeve të rënda në vendimin e shkallës së parë në mars 2016.

Pas një gjyqi të gjatë që filloi në vitin 2007, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë liroi nga akuzat Sheshelin për krime lufte kundër kroatëve dhe boshnjakëve në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe krahinën veriore serbe të Vojvodinës.

Sipas vendimit të shkallës së parë, ICTY vendosi se nuk ishte vërtetuar në gjykatë se Shesheli ishte fajtor për krime kundër njerëzimit, persekutimin e jo serbëve në baza politike, racore dhe fetare, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme.

Shesheli u lirua gjithashtu nga akuzat për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, vrasje, torturë, trajtim mizor, shkatërrim të fshatrave dhe qyteteve, shkatërrim të objekteve fetare dhe plaçkitje.

Vendimi shkaktoi polemika dhe u dënua nga shoqatat e viktimave të luftës.

Kryeprokurori i ICTY-së Serge Brammertz tha se ai nuk ishte “shembulli më i mirë i drejtësisë ndërkombëtare”, ndërsa ekspertja ndërkombëtare e së drejtës Iva Vukusiç nga Universiteti i Utrechtit e përshkroi vendimin e gjykatës si “një nga vendimet më të çuditshme në historinë e saj”.

Ndërkohë, Shesheli shprehu kënaqësi, duke thënë se atij i ishte dhënë e drejta. “Megjithatë, me këtë shfajësim, qëndrimi im ndaj ICTY-së si një gjykatë anti-serbe nuk ka ndryshuar aspak,” shtoi ai.

A u shpërfillën provat kyçe?
Gjatë viteve 1990, ai përkrahu idenë e një “Serbie të madhe”. Foto: Facebook/Vojisllav Shesheli

Në një mocion me shkrim, Shesheli ka kërkuar nga gjykata që ta refuzojë apelin dhe të lërë në fuqi lirimin e tij nga akuzat. Ai tha gjithashtu se ai duhet të ishte liruar më herët, sepse gjyqi i tij ishte i padrejtë dhe ai ishte ndaluar në mënyrë të paligjshme.

Por prokurorët shprehen se vendimi për lirimin e tij nga akuzat ishte i paarsyeshëm, i argumentuar keq, ligjërisht i pabazë dhe i bazuar në fakte të interpretuara gabimisht.

Ata pretendojnë se gjykata nuk arriti të shqyrtonte si duhet provat kyçe për krime lufte të kryera nga grupi paraushtarak vullnetar serbë “Seseljevci” (Burrat e Sheshelit) apo lidhjet midis autorëve të krimeve dhe të pandehurit dhe fjalimeve të tij nacionaliste.

Kërkesa e tyre pretendon gjithashtu se gjykata nuk e trajtoi siç duhet akuzën se Shesheli ishte një nga protagonistët e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte të detyronte popullsinë jo serbe të largohej nga zonat e Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, në mënyrë që të krijonte një shtet të unifikuar serb.

Sipas prokurorisë, vendimi nuk mori në konsideratë provat për dëbimet masive dhe transferimin me forcë të popullsisë jo serbe nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Vojvodina në Serbi, e cila ishte me rëndësi kyçe për përcaktimin e ekzistencës së sipërmarrjes së përbashkët kriminale.

Prokurorët pohojnë se Shesheli ishte i përfshirë personalisht në këto krime në qytetin e Vukovarit në Kroaci dhe në fshatin Hrtkovci në Vojvodinë.

Ata këmbëngulin gjithashtu se përfundimi i vendimit se nuk ka pasur sulme të përhapura dhe sistematike nga forcat serbe kundër popullsisë kroate dhe boshnjake në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë ishte krejtësisht i gabuar.

Çështja e qëllimit kriminal
Çështja kryesore për t’u përgjigjur nga Dhoma e Apelit është nëse Shesheli kishte apo jo qëllimin kriminal për të krijuar një “Serbi të Madhe” nëpërmjet persekutimit të jo-serbëve, që vullnetarët paraushtarakë të Partisë Radikale Serbe, të frymëzuar nga fjalimet e tij, më pas i kryen në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Vendimi i shkallës së parë vendosi se ky ishte vetëm programi politik i Sheshelit, i cili nuk nënkuptonte kryerje krimesh.

Por sipas prokurorëve, qëllimi kriminal i Sheshelit për të dëbuar jo-serbët ishte vërtetuar nga fakti se deportimet ndodhën pasi fjalimet e tij bënë thirrje për kryerjen e tyre.

Pasi Shesheli tha se “zgjidhja më e mirë do të ishte që kroatët të ngarkoheshin nëpër autobusë dhe kamionë dhe të çoheshin në Zagreb” kjo “ndodhi vërtet”, prokuroria tha: “Viktimat u hipën nëpër autobusë të cilët i çuan ata jashtë territoreve serbe ose nëpër kampe paraburgimi ku iu nënshtruan një dhunë brutale”.

Megjithatë, në vendimin e shkallës së parë, Gjykata e Hagës pranoi pretendimin e Sheshelit se “autobusët përfaqësonin një manifestim të ndihmës humanitare për jo serbët që nuk ishin luftëtarë dhe donin të linin zonën e luftës”.

Prokurorët u përgjigjën se ky ishte një përfundim “befasues” që përbënte “një vepër penale për viktimat dhe dëshmitarët”.

Deklarata të tjera të ndryshme nga Shesheli, siç është pohimi i tij se “do të ketë lumenj gjaku nëse Bosnja shpall pavarësinë”, përfaqësonin “ftesa të maskuara për të kryer transferimin e dhunshëm” të boshnjakëve dhe kroatëve, thanë gjithashtu prokurorët.

Këto “ftesa” u vunë më pas në zbatim nga mbështetësit e tij në terren, pretendojnë ata.

Prokurorët më tej pretendojnë se gjetja nga vendimi i shkallës së parë se Shesheli nuk e urdhëroi apo aprovoi kryerjen e krimeve në disa vende në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe se ai nuk ishte eprori i autorëve, qoftë ligjërisht apo në praktikë, bie në kundërshtim me provat.

Vendimi tha se vullnetarët e Partisë Radikale Serbe kryen vrasje masive dhe ishin përgjegjës për torturë, trajtim mizor, dhunë seksuale dhe plaçkitje në Vukovar, Zvornik, Sarajevë, Mostar dhe Nevesinje – por se ata nuk i kryen këto krime nën kontrollin e Sheshelit.

A frymëzoi krimet fjalimi i urrejtjes?
Një tjetër pyetje që duhet të përgjigjet nga dhoma e apelit është nëse fjalimet e Sheshelit në Vukovar në Kroaci në vjeshtën e vitit 1991 dhe në Hrtkovci në Vojvodinë në pranverën e vitit 1992 shkaktuan persekutimin e popullsisë kroate në të dy vendet, siç pohohet nga prokurorët.

Sipas akuzave të prokurorëve, fjalimi i Sheshelit shkaktoi sulme të drejtpërdrejta nga mbështetësit e tij ndaj kroatëve vendas, të cilët u detyruan të largoheshin nga Hrtkovci.

Por vendimi i shkallës së parë tha se edhe pse Shesheli bëri thirrje për dëbimin e jo serbëve nga Hrtkovci, “prokuroria nuk ka provuar se fjalimi i tij çoi në largimin e kroatëve dhe në fushatën e persekutimit”, apo se kishte një lidhje shkakësore midis asaj që ai tha dhe krimeve që pasuan.

Prokuroria ka apeluar edhe kundër pjesës së vendimit që përcaktoi se Shesheli nuk i përvetësoi apo ndihmoi në krimet në vende të tjera në Kroaci dhe Bosnjë me fjalimet e tij.

Ajo tha se lirimi nga akuzat nënkuptonte se “drejtësia nuk është përmbushur” në rastin e Sheshelit.

Nëse lihet në fuqi vendimi për lirimin e tij nga akuzat, prokuroria këmbënguli “jo vetëm që do të ishte ofenduese ndaj viktimave, por gjithashtu do të dëmtonte besueshmërinë e gjykatës”.

Lideri i Partisë Radikale, i cili është gjithashtu një deputet serb, nuk do të jetë në gjykatë për të dëgjuar vendimin e së mërkurës.

Ai u lirua përkohësisht për trajtim mjekësor në nëntor 2014, u rikthye në Beograd dhe që atëherë ka refuzuar të marrë pjesë në gjyqin e tij në Hagë./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: