TIRANË
Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli i Ministrave i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka marrë disa vendime ndërsa në fokus kryesor ka qenë situata problematike e shkaktuar pas tërmeteve të fuqishme të 21 shtatorit, ku një pjesë e madhe banesash në Tiranë dhe Durrës pësuan dëmtime.
Mes VKM-ve të shumta që tashmë presin të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, kryeministria ka zbuluar detaje për mënyrën se si do funksionojë pjesa e “Policimit në Komunitet”, por edhe kriteret, që duhen të plotësojnë qytetarët të cilët synojnë të bëhen pjesë e këtij shërbimi.
Sipas VKM-së, detyrat e punonjësve të “Policimit në Komunitet” janë të tipologjive të ndryshme, ndërsa pjesë e tyre është edhe menaxhimi e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.
VKM për Policimin në Komunitet:
ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE FUSHËN E VEPRIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 76, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR
- Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit me qëllim:
- a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare;
- b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale;
- c) dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore;
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit;
- d) përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.
- Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore.
- Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.
- KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË VEÇANTA TË PRANIMIT NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR
- Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
- a) Të jetë shtetas shqiptar;
- b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
- c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
- d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- dh) Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
- Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
- a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
- b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
III. TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E POLICIT VULLNETAR
- Polici vullnetar ka të drejtë:
- a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
- b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, në ndihmë të strukturave policore;
- c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, të përcaktuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë;
ç) të kërkojë në mënyrë individuale vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e punës vullnetare të dhënë prej tij nga struktura vendore e policisë;
- d) të kryejë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas programeve të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
- Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:
- a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
- b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit, për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
- c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;
- d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:
- janë në kundërshtim me ligjin;
- paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;
iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;
- vijnë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit;
- dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat, kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave që mund t’i shkaktojnë dëme të shëndetit ose jetës së tij.
- Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.
- Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.
- PËRGJEGJËSITË E PËRFITUESIT TË SHËRBIMIT
- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:
- a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;
- b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar, gjatë kryerjes së detyrave në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;
- c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;
ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi për trajtimin me dieta, njëlloj si punonjësit e policisë;
- d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;
- dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;
- e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;
ë) të trajtojë policin vullnetar sipas përcaktimeve të bëra në nenin 106 të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar;
- f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
- Çdo vit, në bazë të nevojave dhe propozimeve të drejtorive vendore të policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcakton numrin e policëve vullnetarë.
- KONTRATA E VULLNETARIZMIT
- Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.
- Kontrata e vullnetarizmit përcakton të drejtat, detyrat, kushtet dhe kriteret e nevojshme për kryerjen e shërbimit të policimit vullnetar.
- Forma dhe përmbajtja e kontratës tip, efektet, kohëzgjatja, përfundimi apo zgjidhja e saj, si dhe procedurat e ankimit, të pranimit dhe të ushtrimit të së drejtës së ankimit përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.
- DISPOZITA TË FUNDIT
- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, nxjerr aktet nënligjore në zbatim të tij.
- Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”