TIRANE- Një nga vendimet e djeshme të mbledhjes së qeverisë ishte edhe ai për mënyrën se si do të shitet toka në bregdet privatëve. Sipas vendimit të djeshëm, parashikohet shitja e tokës me tender, dhënien me 1 euro për 99 vjet.
Toka në bregdet me çmim 1 euro do t’i jepet atij që do të investojë 50 milionë euro dhe ofertat do të shqyrtohen nga Qeveria. Propozimi për miratimin e kontratës do t’i bëhet qeverisë nga ministri i Turizmit, e shoqëruar me projektkontratën e negociuar me privatin. Parashikohen edhe sanksione.
RREGULLAT, PROCEDURAT DHE MËNYRAT E VËNIES NË DISPOZICION TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË ZONAT ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E TURIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 35, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
I.PASURITË SHTETËRORE QË VIHEN NË DISPOZICION, E DREJTA, KOMPETENCAT DHE AFATET
1.Pasuritë e paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin turizmin, u vihen në dispozicion të tretëve për zhvillimin e projekteve në turizëm.
2.Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.
3.Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, bëhet me afat deri në 99 vjet.
4.Procedurat për vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, përcaktohen në kreun II.
5.Në rastin e investitorëve me status “Investitor strategjik i veçantë”, sipas përcaktimeve në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, rast pas rasti, dhe nëse kjo kërkohet nga investitori, transferimin e të drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme shtetërore te investitori privat, duke e kushtëzuar transferimin me realizimin e plotë të investimit. Kur vlerësohet nga Këshilli i Ministrave, marrëveshja për realizimin e investimit strategjik propozohet për miratim, me ligj të posaçëm, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
II. PROCEDURAT E DHËNIES NË DISPOZICION TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE
1.Pasuritë e paluajtshme shtetërore vihen në dispozicion sipas:
a)procedurës “Thirrje për aplikim”, të shpallur nga ministria përgjegjëse për turizmin;
b)procedurës me aplikim, të paraqitur nga subjekti zhvillues.
2.Procedura “Thirrje për aplikim”
2.1 Procedura “Thirrje për aplikim” fillon me shpalljen, nga ministria përgjegjëse për turizmin, të thirrjes për vënien në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Pasuritë e paluajshtme shtetërore, të përcaktuara në thirrje, duhet të jenë në përputhje me politikat, strategjitë, instrumentet e planifikimit dhe planet ekzistuese sektoriale.
2.2 Shpallja publikohet në “Buletinin e njoftimeve publike”.
2.3 Në njoftimin e shpallur, ministria përgjegjëse për turizmin përcakton të dhënat për pasurinë e paluajtshme, pronë shtetërore, përshkrimin e zonës në të cilën ajo ndodhet, formën/modelin e zhvillimit, metodologjinë e vlerësimit dhe afatin, brenda të cilit subjektet duhet të dorëzojnë:
A. Dokumentacionin administrativo-ligjor:
a) Të mos jetë në proces falimentimi dhe kapitalet e tij të mos jenë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit;
b) Të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose të mos ketë një marrëveshje me kreditorët apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;
c) Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale, si person juridik, ortak apo aksionar i shoqërisë;
ç) Të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës;
d) Të ketë përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës;
dh) Kërkesat e shkronjave “a”, “b” dhe “c”, plotësohen me dorëzimin e ekstraktit të Regjistrit Tregtar për të dhënat e subjektit, si dhe ekstraktin mbi historikun e subjektit, të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, dhe me vërtetim nga institucionet përgjegjëse, për lëshimin e këtyre dokumenteve;
e) Kërkesat e shkronjave “ç” dhe “d”, plotësohen me dorëzimin e vërtetimit të lëshuar nga administrata tatimore, vetëm për shoqëritë shqiptare;
ë) Kandidati/ofertuesi i huaj duhet të vërtetojë se i plotëson të gjitha kërkesat e renditura më sipër. Nëse dokumentet e sipërpërmendura nuk lëshohen në shtetin e origjinës, atëherë mjafton një deklaratë noteriale, me shkrim, nga ana e kandidatit/ofertuesit.
B.Dokumentacionin teknik:
a) Projekte me vlerë të përafërt investimi në fushën e turizmit, të realizuara dhe të përfunduara me sukses, apo eksperienca të ngjashme, me vlerë të përafërt investimi me projekte në fushën e turizmit;
b) Propozimin e projektit teknik, i cili duhet të përmbajë:
projektidenë;
projektin arkitekturor;
të dhëna për standardin turistik që do të zbatohet;
të dhëna për cilësinë e infrastrukturës dhe vlerat e investimit;
planin teknik dhe inxhinierik të zonës, në përputhje me standardet e përdoruara për ndërtim dhe planifikimin urban;
planin e zbatimit, planin operacional dhe metodat për funksionimin dhe mirëmbajtjen e investimit;
grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit.
C) Dokumentacionin financiar:
a)Kopje të certifikuara të bilanceve të 3 viteve të fundit, të paraqitura në autoritetet përkatëse, dhe raportet e auditit financiar, të certifikuara nga një subjekt i licencuar auditimi;
b)Kopje të deklaratave të xhiros vjetore;
c)Garanci bankare, minimumi 1%, për kapitalin e nevojshëm financiar për kryerjen e investimit;
ç)Planbiznesin, i cili duhet të përmbajë, të paktën, dokumentacionin e mëposhtëm:
Shpenzimet kapitale për kryerjen e investimit;
Shpenzimet për kostot operacionale dhe të ardhurat;
Tarifën e përdorimit;
Garancinë e aplikimit, në masën 2% të investimit, si masë mbrojtëse për institucionin në rastin e tërheqjes, në mënyrë të njëanshme, nga ana e aplikuesit.
Ç)Dokumentacionin në lidhje me ndikimin mjedisor:
a)Impakti mjedisor i zhvillimit të investimit dhe përmirësimet e propozuara.
D)Dokumentacionin në lidhje me ndikimin social:
Numrin e të punësuarve;
Programin për përgjegjësinë sociale;
Trajnimin e punonjësve dhe transferimin e njohurive;
ç)Lidhjet me ekonominë vendase.
2.4 Përveç kritereve të mësipërme, ministria përgjegjëse për turizmin mund të vendosë dhe kritere të tjera për përzgjedhjen e aplikuesit, të cilit do t’i vihet në dispozicion pasuria e paluajtshme, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.
3. Organizimi i procedurës thirrje për aplikim.
3.1 Ministri përgjegjës për turizmin, me shpalljen e thirrjes për aplikim, nxjerr urdhrin për përcaktimin e anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Aplikimeve, këtu e në vijim “Komisioni”.
3.2 Komisioni përbëhet nga jo më pak se 5 persona, specialistë të fushës, në ministrinë përgjegjëse për turizmin, dhe, sipas rastit, nga përfaqësues të ministrive apo të institucioneve të tjera, të cilët gjykohen që kanë lidhje me aplikimin. Komisioni është përgjegjës për shqyrtimin e aplikimeve. Në çdo rast, numri i anëtarëve duhet të jetë tek.
3.3 Nuk mund të marrin pjesë në këtë Komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas kuptimit të ligjit “Për konfliktin e interesit”. Anëtarët e Komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
3.4 Aplikimet duhet të dorëzohen dorazi, në adresën e përcaktuar në dokumentet e procedurës konkurruese, brenda afatit kohor të specifikuar. Çdo aplikim i bërë pas afatit të përcaktuar në thirrjen e ministrisë përgjegjëse për turizmin nuk do të shqyrtohet nga Komisioni dhe do t’i kthehet, i pahapur, aplikuesit.
3.5 Aplikimet do të dorëzohen në dy zarfe, ku në njërin duhet të jetë shënuar “Origjinal” dhe në tjetrin “Kopje”.
3.6 Zarfet do të paraqiten sipas përcaktimeve të bëra në thirrjen për publikim. Zarfet duhet të jenë të vulosura me vulën e aplikuesit.
3.7 Hapja dhe vlerësimi i aplikimeve nga Komisioni bëhet, si më poshtë vijon:
a) Komisioni i lexon aplikimet në prani të aplikuesve, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim;
b) Komisioni lexon emrin dhe adresën e aplikuesit dhe hap zarfin përkatës. Dokumentet e kualifikimit administrativo-ligjor, teknik dhe financiar lexohen me zë të lartë, në prani të aplikuesve. Më pas, hapet dokumentacioni teknik dhe financiar.
Komisioni u komunikon përfaqësuesve ditën, vendin dhe orën për klasifikimin përfundimtar të aplikimeve dhe, më pas, vazhdon punën për shqyrtimin e aplikimeve;
c) Bazuar në aplikimet e pranuara, Komisioni harton renditjen përfundimtare. Afati i vlerësimit nga Komisioni është deri në 30 (tridhjetë) ditë. Në raste të veçanta, me kërkesë të argumentuar të Komisionit, ministri përgjegjës për turizmin mund t’a ndryshojë këtë afat;
ç) Nëse më shumë se një aplikim ka të njëjtin numër pikësh, atëherë fituesi do të përcaktohet me short, në prani të aplikuesve.
d) Komisioni, brenda 10 (dhjetë) ditëve, nga përfundimi i vlerësimit, përgatit raportin përmbledhës dhe i propozon fituesin titullarit të ministrisë përgjegjëse për turizmin;
dh) Raporti përmban:
i. objektin e aplikimit;
ii. një përmbledhje të procedurës së ndjekur;
iii. numrin e aplikimeve të paraqitura dhe një përmbledhje për çdo aplikim;
v. renditjen e aplikuesve, sipas vlerësimit të Komisionit;
vi. ankesat, nëse ka.
3.8 Çdo aplikues mund të kërkojë rishikim administrativ të procesit, kur gjykon se një vendim i ministrisë përgjegjëse për turizmin është marrë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke vepruar, si më poshtë vijon:
a) Ankesa i paraqitet me shkrim ministrisë përgjegjëse për turizmin brenda 7 (shtatë) ditëve pune, nga data kur ankimuesi është vënë në dijeni për mospranimin e aplikimit;
b) Me marrjen e ankesës me shkrim, ministria përgjegjëse për turizmin pezullon vazhdimin e procedurës, derisa ankesa të jetë shqyrtuar plotësisht, përfshirë dhe nxjerrjen e një vendimi përpara skadimit të afatit kohor;
c) Ankesa në institucionin përgjegjës bëhet nga aplikuesi, duke shënuar emrin dhe adresën e tij, referimin për procedurën konkrete, bazën ligjore dhe përshkrimin e shkeljes, pretendimin për vendimin përfundimtar dhe dokumentacionin përkatës si dhe vendimin e ministrisë përgjegjëse për turizmin. Elementet e sipërpërmendura janë të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës.
3.9 Ministria përgjegjëse për turizmin shqyrton ankesën dhe merr një vendim të arsyetuar, brenda 7 (shtatë) ditëve, pas marrjes së ankesës, të cilin duhet t’ia njoftojë ankuesit jo më vonë se në ditën vijuese të punës.
3.10 Kundër vendimit të ministrisë përgjegjëse për turizmin ankuesi ka të drejtë që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga marrja dijeni, të bëjë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në gjykatën kompetente. Shqyrtimi i këtij ankimi në gjykatë nuk pezullon vazhdimin e procedurave.
3.11 Pas miratimit të raportit përmbledhës nga titullari i ministrisë përgjegjese për turizmin, siç parashikohet në këtë vendim, dhe pasi Këshilli i Ministrave të ketë miratuar propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin për lidhjen e kontratës dhe termat kryesore të saj me subjektin aplikues të përzgjedhur, aplikuesi i suksesshëm njoftohet me shkrim për pranimin e aplikimit dhe për lidhjen e kontratës. Ky njoftim publikohet në “Buletinin e njoftimeve publike”.
3.12 Mosdhënia e miratimit nga Këshilli i Ministrave e bën thirrjen për aplikim të pasuksesshme.
3.13 Njoftimi duhet të përmbajë:
a) emrin dhe adresën e aplikuesit të shpallur fitues;
b) kohëzgjatjen e kontratës;
c) emrat e aplikuesve të tjerë;
ç) emrat e aplikuesve të skualifikuar dhe arsyet e skualifikimit;
d) informacion nëse ka patur ankesa;
dh)kërkesën që kontrata të nënshkruhet, me kusht që të jetë bërë sigurimi i saj në masën 10% të investimit.
3.14.Para nënshkrimit të kontratës, aplikuesi fitues duhet të bëjë sigurimin e kontratës, në masën 10%, si garanci për institucionin, në rastet e shkeljes së kontratës nga ana e tij. Garancia kthehet pas përfundimit të çdo faze të investimit, por jo më shumë se në tri këste, sipas fazave të investimit.
4.Procedura me aplikim, e paraqitur nga subjekti zhvillues.Për procedurën me aplikim, aplikuesi i nënshtrohet procedurës, si më poshtë vijon:
4.1 Subjekti zhvillues aplikon pranë ministrisë përgjegjëse, duke paraqitur kërkesën e tij;
4.2. Ministria përgjegjëse për turizmin bën një vlerësim paraprak, nëse:
a) objektivat e projektit përshtaten me planet apo strategjitë sektoriale apo rajonale;
b) nuk ka kufizime për zbatimin e projektit;
c) projekti mund të zbatohet siç është planifikuar, duke përdorur zgjidhjet e propozuara;
ç) projekti ka qëndrueshmëri ekonomike dhe përshtatshmëri financiare;
d) projekti siguron përshpejtimin e zhvillimit të turizmit.
4.3 Në vlerësimin paraprak, ministria, nëse e gjykon të nevojshme, mund të thërrasë, përveç specialistëve të fushës, në ministrinë përgjegjëse për turizmin, dhe përfaqësues të ministrive apo të institucioneve të tjera, të cilët gjykohen që kanë lidhje me aplikimin.
4.4 Pas kryerjes së vlerësimit paraprak dhe nëse aplikimi vlerësohet i pranueshëm, ministria përgjegjëse për turizmin i kërkon aplikuesit të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e kërkuar në pikën 2.3, të procedurës “Thirrje për Aplikim“, brenda një afati të caktuar.
4.5 Me plotësimin e dokumentacionit përkatës, nga ana e aplikuesit, vlerësimi i aplikimit bëhet nga një komision, i ngritur me urdhër të ministrit. Urdhri përcakton dhe metodologjinë e vlerësimit të aplikimit.
4.6 Nëse nga vlerësimi aplikimi rezulton i pranueshëm, ministria përgjegjëse për turizmin i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e vënies në dispozicion të pasurive shtetërore si dhe termat kryesorë të kontratës që do të lidhet me subjektin zhvillues.
4.7 Mosdhënia e miratimit nga Këshilli i Ministrave e bën aplikimin të pasuksesshëm.
4.8 Para nënshkrimit të kontratës, aplikuesi fitues duhet të bëjë sigurimin e kontratës, në masën 10%, si garanci për institucionin në rastet e shkeljes së kontratës nga ana e tij. Garancia kthehet pas përfundimit të çdo faze të investimit, por jo më shumë se në tri këste, sipas fazave të investimit.
III. TARIFAT PËR VËNIEN NË DISPOZICION TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE
Pasuritë e paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, jepen në përdorim, sipas tarifave të përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi, sipas llojit të pasurisë.
IV. KONTRATA ME TARIFËN SIMBOLIKE 1 EURO
1. Pasuritë e paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilat vlera e propozuar e investimit kalon shumën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro, mund t’u jepen të tretëve me kontrata përdorimi, me tarifën simbolike 1 (një) euro, me vendim, rast pas rasti, të Këshillit të Ministrave.
2. Ministri përgjegjës për turizmin i propozon Këshillit të Ministrave të miratojë lidhjen e kontratës së përdorimit, me çmimin simbolik 1 (një) euro. Propozimi shoqërohet me projektkontratën e negociuar ndërmjet palëve.
3. Para nënshkrimit të kontratës, ku përmbahen dhe termat e dhënies në përdorim të pasurisë së paluajtshme, me tarifë 1 euro, investitori është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës, në masën 10% të vlerës së investimit. Garancia kthehet pas përfundimit të çdo faze të investimit, por jo më shumë se në tri këste, sipas fazave të investimit.
4. Në kontratat me tarifën 1 euro vendosen sanksione për rastet kur investitori nuk realizon kushtet e saj. Për mosrealizim të investimit në përfundim të fazës përkatëse, ai ndëshkohet me 1% të vlerës së investimit të parealizuar në atë fazë dhe, nëse pas 6 muajve investimi nuk realizohet, kontrata zgjidhet nga institucioni shtetëror që e ka lidhur atë, duke marrë si gjobë, masën e garancisë së depozituar në atë periudhë.