Për partinë ‘Zgjidhja’ drejtuar nga Koco Kokëdhima votimet e 30 qershorit dështuan me turp. Në një deklaratë shpërndarë mediave, “Zgjidhja” thekson se në shumicë dërrmuese mbi 80 për qind, shqiptarët i thanë ‘jo’ këtyre votimeve moniste.


“Sigurisht që KQZ-ja e PS-së do të tentojë të nxjerrë shifra të manipuluara të pjesmarrjes.


Partia ‘Zgjidhja’ ashtu si në vitin 2017, u bëri thirrje publikisht shqiptarëve që ta bojkotonin 30 qershorin. E sotmja vërtetoi plotësisht drejtësinë e thirrjes së partisë ‘Zgjidhja’ për bojkot.” Citohet në deklaratë, ku ndër të tjera denoncohet presioni i qeverisë mbi administratën.


“Partia ‘Zgjidhja’ denoncon me forcë presionin e qeverisë mbi të punësuarit në administratën shtetërore dhe  të afërmit e tyre të cilët shkuan në votime të kërcënuar me pushime nga puna dhe represion shtetëror. ‘Zgjidhja’ i përshëndet të gjithë ata shqiptarë që refuzuan këtë ditë të shëmtuar në historinë e pluralizmit shqiptar dhe këto votime qesharake si pantallonat treçerekëshe të shefit të Rilindjes. Kjo ishte përgjigjia më e mirë e shqiptarëve ndaj klikës në pushtet, që është aty me votat e blera me paratë e krimit dhe të korrupsionit.‘Zgjidhja’ falenderon përzemërsisht gjithë qytetarët e Shqipërisë që ruajtën qetësinë, shmangën konfliktet dhe aktet e dhunës duke e përcjellur paqësisht këtë ditë të errët në historinë e vendit. Ju faleminderit shqiptarë, patriotë, që 30 qershorin ia latë në dorë Rilindjes.  #ZgjidhjaPërShqipërinë” përfundon deklarata.

(BalkanWeb)