DURRES– Partia Demokratike në Durrës ka nisur nga puna për zgjedhjet vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm. Ngritja e strukturave dhe angazhimi i të rinjve është synimi kryesor i demokratëve durrsakë.


Drejtuesit e Partisë Demokratike në qytetin bregdetar zhvilluan një takim me Forumin Rinor të Partisë Demokratike të Degës në Durrës, të organizuar nga këta të fundit me fokus “situata në vend” dhe “detyrat e gjithsecilit në vazhdim”.


“Nuk kemi pse tulatemi, ne jemi forca që liberalizuam vizat dhe futem Shqipërinë në NATO. Nuk krahasohemi me këta. Këta kanabizuan Shqipërinë, ne denoncuam, e shumë e shumë të tjera. Pra, të bëhemi bashkë dhe të punojmë fort për të fituar zgjedhjet e ardhshme, me qëllim për t’i hapur rrugën fitores së madhe të Partisë Demokratike dhe për ta risjellë në pushtet”, tha kryetari i PD në degën Durrës, Ferdinand Xhaferri.


Kryetari i Grupit të Punës për Durrësin, deputeti Oerd Bylykbashi kërkoi angazhim maksimal të të rinjve dhe organizim sa më të mirë në fushatën e zgjedhjeve të ardhshme.

I pranishëm në takimin me forumin rinor të Partisë Demokratike dega Durrës ishte edhe Kryetari i FRPD Belind Këlliçi, i cili kërkoi reagim dhe entuziazëm në radhët e të rinjve durrsakë, duke u kujtuar së PS-ja në pushtet po detyron të rinjtë të emigrojnë pasi nuk kanë asnjë shprese.

Të rinjtë diskutuan për problemet e shumta në vend, sidomos për ato me të cilat përballet sot rinia shqiptare, si dhe dhanë mendime në lidhje me zgjidhjen e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb