TEPELENE- Në 22 janar fillojnë në fshatin Dragot të Tepelenës gërmimet për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrjedhojë e marrëveshjes së shkurtit 2009, mes qeverive shqiptare e greke të asaj kohe. Marrëveshja është emërtuar “Marrëveshja mbi bashkëpunimin ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë mbi kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë të rënë në luftë, në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të vitit 1940-1941 dhe ndërtimin e vendprehjes për ta në territorin e RSH”.



Gërmimet aktuale kryhen në kuadrin e ndërtimit të dy vendprehjeve (varrezave) që parashikon marrëveshja e mësipërme, përkatësisht në Këlcyrë dhe në Bularat. Këto burime insistuan në faktin se nuk ka asnjë devijim nga marrëveshja e vitit 2009 dhe se nuk do të ketë asnjë varrezë të re, përveç vendprehjeve të përcaktuara në atë marrëveshje.


Të njëjtat burime njoftojnë se me insistimin e palës shqiptare, është përfshirë në procesin e kërkimit dhe identifikimit të eshtrave të ushtarëve grekë, edhe një ekspert amerikan i identifikimit. Mësohet se ky ekspert ka një përvojë të gjatë në kërkime të kësaj natyre, përfshirë gërmimet dhe identifikimin e të vrarëve të luftës në Bosnje.


Qeveria shqiptare ka insistuar për futjen e specialistit amerikan në komisionin e palës tonë, si një element që ndihmon për të shmangur ngjarje të shëmtuara dhe incidente të rënda si ai i Kosinës i vitit 2006, kur gjatë gërmimeve për eshtra ushtarësh, u dëmtuan rëndë varrezat shqiptare të një shekulli më parë. Një ngjarje që shkaktoi zemëratë të madhe tek banorët e zonës dhe në opinionin publik shqiptar.

Burimet thanë gjithashtu se gërmimet aktuale do të kryhen mbi bazën e një protokolli strikt, i cili parashikon se të gjitha shpenzimet për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave do të jenë të palës greke. Pala shqiptare do të përgjigjet për shpenzimet e përfaqësuesve të saj në komisionin dypalësh. Sqarohet gjithashtu se gërmimet do të kryhen në zona të cilat do dakordësohen paraprakisht me palën shqiptare dhe se procesi do të nisë vetëm me dhënien e lejes nga zyrtarët shqiptarë të pranishëm në kërkim-zhvarrimet që do të kryhen.

Rihapja e procesit të kërkimit dhe identifikimit të eshtrave të ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore ka qenë tradicionalisht një temë e nxehtë në marrëdhëniet dypalëshe. Edhe më delikate është bërë ajo, për shkak të konjukturave të dyshimta diplomatike të krijuara gjatë dekadës së shkuar, kur Shqipëria pranoi jo vetëm një marrëveshje të zgjeruar vendvarrimesh në territorin e saj, por edhe një marrëveshje detare e cila ende sot vijon të mbetet një mollë sherri mes Tiranës dhe Athinës. Pasojat e atyre qëndrimeve të palës shqiptare, kane qenë dhe janë një “litar” i mbetur jashtë varrit, i cili trazon çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve mes Greqinë dhe që na vendos rregullisht si shtet, në pozita të vështira përballë palës greke.

Burimi:http://www.javanews.al/ekskluzive-marreveshja-e-2009-rinisin-germimet-ne-jug-per-ushtaret-greke/

(BalkanWeb)

Etiketa: